Site icon Prishtinapress

“Ai vdiq si një qen, si një frikacak”: Presidenti Trump jep detaje të operacionit ku u vra Abu Bakr al-Baghdadi

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën në mëngjes se lideri i ISIS, Abu Bakr al-Bagdadi ishte vrarë pas një sulmi ushtarak amerikan në veri-perëndim të Sirisë gjatë fundjavës.

“Abu Bakr al-Bagdadi është i vdekur”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur vrasjen e tij “përparësi të lartë të sigurisë kombëtare të administratës” së tij, shkruan CNN.

Presidenti tha se një mision i forcave të operacioneve speciale të SHBA-së shkoi pas udhëheqësit të ISIS-it dhe nuk pati vdekje të amerikanëve gjatë këtij operacioni.

Po sipas CNN, disa luftëtarë të ISIS-it dhe shokët e al-Bagdadi u vranë, duke përfshirë dy gra të veshura me jelekë vetëvrasës dhe tre fëmijë.

Gjithashtu, vlerëson ky medium, vdekja e al-Bagdadit shënon kulminacionin e një “gjuetie” për një kohë të gjatë për të gjetur një nga terroristët më të kërkuar në botë dhe njeriun që deklaroi një të ashtuquajtur Kalifat Islamik në Irak dhe Siri në vitin 2014.

Por gjithashtu vjen ndërsa ushtria amerikane po tërhiqet nga Siria, një veprim që analistët paralajmërojnë se mund të lejojë një ringjallje të ISIS-it.

Por Trump këmbënguli se vrasje e tij nuk kishte asnjë lidhje me vendimin e fundit të SHBA-së për tërheqjen nga Siria veriore.

“Jo, tërheqja nuk kishte asnjë lidhje me këtë. Në fakt ne e zbuluam këtë në një kohë të njëjtë”, ka thënë Trump. “Jo, kemi qenë pas këtyre udhëheqësve dhe kemi të tjerë në vend”.

Presidenti tha se rezultatet e “të menjëhershme” dhe “plotësisht pozitive” të testeve provuan se ishte al-Bagdadi, duke thënë se një teknik laboratori në skenën e bastisjes konfirmoi vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it.

“Ai vdiq si qen. Ai vdiq si një frikacak. Bota tani është një vend shumë më i sigurt”, tha Trump.

Trump e përshkroi situatën, duke thënë se udhëheqësi i ISIS-it “i kaloi momentet e tij të fundit në një frikë të plotë, në panik total, i tmerruar nga forcat amerikane që e kërkonin atë”.

Veç kësaj, sipas CNN, përcjell Telegrafi, presidenti amerikan ka thënë se forcat amerikane morën “materiale dhe informacion shumë të ndjeshëm nga bastisja, që kanë të bëjnë shumë me ISIS-in – origjinën, planet e ardhshme, gjëra që ne shumë duam”.

Trump u tha gazetarëve se al-Bagdadi ishte nën mbikëqyrje për disa javë dhe se dy deri në tre misione të planifikuara u tërhoqën para se të fillohej ai i suksesshmi.

Presidenti tha se ai vëzhgoi operacionin nga Shtëpia e Bardhë duke filluar në orën 5 të mëngjesit.

Misioni, tha ai, filloi menjëherë pas kësaj dhe vazhdoi për rreth dy orë.

Ai u shoqërua nga Zëvendës Presidenti Mike Pence, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper dhe të tjerë.

Exit mobile version