Site icon Prishtinapress

Ahmeti: Zhvendosja e nxënësve nga gjimnazi do të bëhet menjëherë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se zhvendosja e nxënësve nga gjimnazi “Ahmet Gashi” do të bëhet menjëherë.

Ahmeti ka thënë se lidhur me këtë Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha veprimet e duhura.

“Pas raportimit të mediave për ngjarjet e djeshme lidhur me gjimnazin “Ahmet Gashi”, për hir të korrektësisë po ju informoj për të gjitha veprimet që janë marrë nga ana e Komunës së Prishtinës lidhur me këtë temë”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se vendimi për zhvendosjen e nxënësve është marrë në qershor.

“Vendimi për dislokimin e përkohshëm të nxënësve është marrë në muajin qershor, mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e sizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka deklaruar se është takuar dje me përfaqësuesit e nxënësve dhe mësimdhënësve dhe është vendosur që zhvendosja e nxënësve të bëhet menjëherë.

“Përfundimisht, zhvendosja e nxënësve bëhet menjëherë. Nuk bëjmë kompromise me sigurinë e jetës së fëmijëve tanë”, ka shkruar Ahmeti.

Exit mobile version