Site icon Prishtinapress

AGK pas publikimit të videos: Kryeministri ta shkarkoj Shalën, Limaj të distancohet nga ky veprim!

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkoj ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani.

Këto pamje dëshmojnë se si një person që përfaqëson institucionet e shtetit, pa frikë godet gazetarin. Një person i tillë nuk meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës,e aq më pak përfaqësues i popullit.

Në një situatë të tillë AGK kërkon nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që të distancohet nga ky veprim i Shalës.

AGK vlerëson se pas publikimit të kësaj videoje , çdo gjë është e qartë dhe se drejtësia duhet të veprojë sa më parë.

Sjellja e ministrit karshi gazetarit i cili po kryente detyrën e tij, për AGK është e papranueshme dhe e patolerueshme. Situata bëhet edhe më e rëndë kur Shala, një ditë para se të publikoheshin këto pamje, kishte deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin Ramadani.

AGK kërkon nga Shala, që të kërkoj falje publike, të pranojë fajësinë dhe në të njëjtën kohë nuk mjaftohet vetëm me një intervistim të tij nga ana e prokurorisë. Në të kundërtën fton të gjithë kolegët gazetarë që të bojkotojnë punën e tij derisa ndaj këtij akti të merren masa konkrete nga autoritet përkatëse, thuhet në komunikatën e AGK-së.

video nga Kallxo.com

Exit mobile version