Site icon Prishtinapress

Abelard Tahiri-Gërvallës: Je turpi i diplomacisë, je marrja e Kosovës, Daçiqi s’ka nevojë me fol, Serbia të ka ty

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Serbia më nuk ka nevojë që të merret me Kosovën, pasi që sipas tij tashmë në Kosovë për Serbinë flet ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, shkruan Gazeta Express.

Ai ka kërkuar nga Gërvalla që të kërkojë falje nga qytetarët për deklaratat se Gjykatën Speciale nuk e ka krijuar Serbia.

“E nderuar ministre sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marr me Republikën e Kosovës sepse të ka aty në Kosovë, në krye të diplomacisë së Kosovës. Ti je turpi i diplomacisë së Kosovës. Me dal dhe me thanë që Serbia nuk e ka bërë Gjykatën Speciale është turpi më i madh. Ajo gjykatë është bërë me fakte të sajuara nga qeveria serbe. Dil kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar”, ka thënë Tahiri.

Më tutje deputeti i PDK-së ka thënë se ka turp që ta përmend edhe mbiemrin e saj, teksa shtoi se Donika Gërvalla më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë në Kosovë, sesa me kryediplomate të Kosovës.

“Sepse kjo gjykatë është bërë nga njerëz si ju dhe nga dëshmi të juve. Sot nuk ka nevojë Daçiqi me fol sepse është Donika Scwarz sepse atë tjetrin pom vjen marre me ta përmend.  Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë në Kosovë sesa me ministren e punëve të Jashtme”, ka thënë ai.

Tahiri poashtu ka bërë thirrje nga kryeministri që ta shkarkojë menjëherë Gërvallën.

“Prandaj dil kërkoju falje, viktimave, grave të dhunime dhe kërko që gjenocidi serb duhet të dënohet se ka ndodhur në Kosovë. Është turp për ty, o marre për ty. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë, nuk je përfaqësuesja e imja. I bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk duhesh më me qëndru në këtë sallë. Ti duhesh me ec”, ka thënë ai.

Exit mobile version