Abazi pas bastisjes së Telekomit nga Policia: Dëmi nga mashtrimi që i është bërë kompanisë është mbi 100 mijë euro

0
88

Menduh Abazi, zëdhënës i Telekomit në një konferencë për media bëri të ditur se Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen lidhur me mashtrimin nga një kompani, ndërsa sipas informatave të para dëmi që i është shkaktuar Telekomit është mbi 100 mijë euro.

Ai tha se këtë bastisje e ka iniciuar Telekomi në përpjekje për të mbrojtur pasurinë publike.

“Është diçka që ne e kemi iniciuar. Është punë e jona në përpjekje për të mbrojtur pasurinë publike dhe një obligim ligjor që rrjedh nga ne”, tha Abazi, duke falënderuar organet kompetente për bashkëpunimin.

Ai tha se dyshohet se një kompani ka mashtruar Telekomin, duke përdorur dokumente false dhe dëmi për Telekomin është mbi 100 mijë euro.

“Është hera e parë që po e iniciojmë një rast të tillë dhe është për të ardhur mirë që kaq shpejtë është reaguar”, tha Abazi, raporton Telegrafi.

Ai tha se sipas informatave që ka, i dyshuari është nga Maqedonia dhe është arrestuar në Ferizaj. /Telegrafi/