Zëvendëskryeministri i dytë në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi ka thënë se ndarja e 49 milionë eurove për një dalje dhe një mbikalim në autostradë duhej të ndalej dhe me vendimin e djeshëm të marrë nga Qeveria, kjo është ndalur.
Përmes një postimi në Facebook, Abazi tha se është e nevojshme të kyçjeve në autostrada është e nevojshmë dhe do të bëhet, por jo duke i dhënë miliona euro të taksapaguesve për një punë dalje e mbikalim të autostradës.
“Nevoja për hapje të kyçjeve në autostrada të mbyllura janë të domosdoshme, do të duhej të bëheshin me kohë, vetëm kështu i jepet kuptim asfaltimit, kur fshati mund të jetë pjesë e komunikimit dhe tregu afrohet edhe për farmerin. Kjo do të bëhet! Por, 49 Milion Euro për një dalje dhe një mbikalim, me para të taksapaguesve, sigurisht që duhej të ndalet, dhe është ndalur. Sigurisht që edhe gropimi dhe shëmtimi i zonave urbane duhet të ndërpritet!”, shkruan Abazi.
Ai këto komente i bëri sot, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës e cila ka shfuqizuar vendimin e marr nga Qeveria Haradinaj që ia mundësonte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se kostoja e prezantuar nga konsorciumi Bechtel Enka kap vlerën e 49.6 milion eurove.
Vendimi i mbledhjes se Qeverisë të mbajtur më 28 maj 2019 kishte të bënte me zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri në fund të vitit 2020. Në pikën 2 sqarohej se kjo zgjatje e punëve po bëhej për të përfunduar ndërtimin e disa kyçeve në autostradë.
Reagimi i Abazit vjen pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky vendim i ministrit Abdixhiku është mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria nuk anuloi 50 milionë por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me autostradën Arbën Xhaferi.
“Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, thuhet në reagimin e Haradinajt.