Site icon Prishtinapress

Abazi: Çështja e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë skenar mes LDK-së dhe presidentit Thaçi

Zëvendëskryeministri nga radhët e LVV-së, Haki Abazi, ka folur për zhvillimet e fundit politike brenda koalicionit qeverisës me LDK-në.

Në Debatplus në RTVD, Abazi ka thënë se çështja e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë skenar mes LDK-së dhe presidentit Thaçi.

“Në momentin që Presidenti Thaçi kërkon dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe pas kësaj akterët brenda LDK-së, Isa Mustafa, Avdullah Hoti dhe në fund Agim Veli, kanë deklaruar të njëjtën, kjo është pjesë e një skenari”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, kjo nuk do duhej të ndodhte pasi që lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme, kryeministri Kurti bëri zyrtare vendimin që nuk është e nevojshme të veprohet njëherë.

Abazi e ka quajtur shkelje kushtetuese, deklarimet e ministrave që nuk janë në një vijë me vendimet e qeverisë.

Ndërkaq, e gjithë kjo erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi e ka përmendur të martën propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilin megjithatë nuk është pajtuar Qeveria, duke e quajtur masë ekstreme dhe të panevojshme.

Dy konferencat e shtypit, njëra prej presidentit Thaçi dhe tjetra prej Qeverisë kanë ardhur pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, teksa nëntëmbëdhjetë raste me coronavirus janë shënuar në vend për vetëm katër ditë.

Exit mobile version