15.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

A u bë Kosova sebep që pasaporta e Japonisë të dalë e para në botë?

Japonia ka pasaportën më të mirë në botë, sipas atij që njihet si “Henley Passport Index”, indeks i dobishmërisë/fuqisë së pasaportave, që harton kompania Henley & Partners. Ata që kanë pasaportë të Japonisë mund të hyjnë pa vizë në 189 shtete.

Deri së voni Singapori mbante vendin e parë për pasaportën me të cilën mund të udhëtoje pa vizë në shumicën e vendeve të botës. Tash, bashkë me Gjermaninë, mban vendin e dytë, me mundësi udhëtimi pa vizë (visa-free access) në 188 shtete. Franca e Italia rangohen në vendin e tretë, bashkë me katër vende të tjera, ndërsa Britania e Madhe dhe SHBA-ja në të katërtin, krahas pesë vendeve të tjera.

Ndryshimin në ranglistë e ka bërë Kosova, ka deklaruar mbrëmë nga Singapori, në një emision të shërbimit ndërkombëtar të BBC-së, Dominik Volek (Dominic Volek), përfaqësues i kompanisë Henley & Partners për Azinë Jugore. Duket se edhe ndryshimi i metodologjisë së punës për këtë ranglistë ka pasur ndikim. Njoftohet se Henley & Partners aplikon një metodologji që tani përfshin 227 destinacione. Nuk ka 227 shtete në botë, natyrisht!

Nga faqja e internetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Republikës së Kosovës bëhet e qartë se Kosova ka të njëjtin regjim vizash (domethënë nuk aplikon vizë) për Japoninë dhe Singaporin (“You may visit or transit Kosovo without a visa for up to 90 days within 6 months with a valid travel document”, thuhet në këtë faqe për të dyja vendet.) Pas ranglistës së re, MPJ-a ka mohuar përmes Twitter-it se Kosova ka vënë regjim vizash për Singaporin.

Në rangimin e fundit, nga 1 deri në 100 (herë-herë një vend në ranglistë e mbajnë disa shtete, siç u pa), Kosova e zë e vetme vendin e 91-të. Me pasaportë të Kosovës mund të udhëtohet pa vizë në 44 vende. Shqipëria rangohet e 48-ta, po ashtu e vetme, me mundësi udhëtimi pa vizë në 114 vende të botës. Kina është në këtë aspekt diku në mes të Kosovës e Shqipërisë – e 68-ta.

Afganistani dhe Iraku zënë vendin e fundit (100), duke u ranguar më keq se Somalia e Siria (99) në këtë renditje.

Këtu gjendet ranglista e plotë e dobishmërisë së pasaportave për vitin 2018, e përditësuar në maj të këtij viti:

https://www.henleyglobal.com/files/download/HPI2018/PI%202018%20INFOGRAPHS%20GLOBAL%20180518.pdf

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles