Site icon Prishtinapress

A po e përgatit Isa Mustafa eliminimin e kandidatëve tjerë për kryetar të LDK’së

Isa Mustafa as nuk e pohon e as nuk e mohon se do të jetë kandidat për kryetar të partisë. Por, ai si duket po e përgatit një skenar të njëjtë me zgjedhjet partiake të vitit 2016 kur kishte eliminuar Vjosa Osmanin. Mustafa ka thënë se për secilin kandidaturë duhet mbështetje me 50 për qind të votave plus 1, e cila do të bëhet me votim të hapur. Në këtë mënyrë si duket Mustafa dëshiron “të mbytë” rivalët ose pretendetët për fronin e partisë, shkruan Express.

Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot ka mbledhur kryetarët e degëve të LDK’së për të diskutuar rreth procesit të brendshëm zgjedhor që pritet të fillojë brenda pak ditëve.

Teksa ka shpjeguar metodologjinë e zgjedhjes së kryetarit të ri, gjatë konferencës ai e ka përsëritur dy tre herë, se një kandidat për t’u futur në garë për kreun e partisë, duhet të marrë 50 për qind +1 prej votave të përgjithshme të Kuvendit Zgjedhor të LDK’së, skenar ky që në zgjedhjet e kaluara la jashtë garës, deputeten më të votuar të kësaj partie, Vjosa Osmanin.

Mustafa në këtë konferencë gjithashtu ka mohuar edhe mundësinë e zgjedhjes së kryetarit të partisë përmes një marrëveshje politike.

“Në këtë fazë jemi në përgatitjen e degëve. S’mund të flas as për veti, as për Lutën as për Vjosën . Si LDK, do të ofrojmë hapësirë për të gjithë. Ajo që mund të them është që LDK’ja është unike. Ambicie mund të ketë çdo kush, por ato janë legjitime. Kryetari i LDK-së do të zgjidhet në bazë të statutit. Ka me hy në garë, ka me marrë përkrahje nëse e merr të gjysmës së Kuvendit, 50 + 1 dhe nëse e merr hyn, në garë me votë të fshehtë”, ka thënë Mustafa në konferencë për media.

I pyetur rreth një qëndrimi të Ambasadorit të SHBA-së, Kosnett, se partitë në Kosovë duhet të udhëhiqen nga gratë, Mustafa ka thënë se një kandidat mund të përkrahet edhe nga vetë ai, por është Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, ai që zgjedh kryetarin.

“Në këtë garë do të marrin pjesë edhe gratë edhe burrat. Për ne është e dobishme që t’i kemi gratë në të gjitha nivelet. Por që të zgjedhet duhet të marrë përkrahjen e Kuvendit të LDK’së, ata janë përfaqësuesit e degëve, dhe ata e zgjedhin kryetarin”, ka shtuar ai .

Sa i përket kandidaturave të bëra publike për kreun e LDK’së, Mustafa ka thënë se deri tani asnjëra prej tyre nuk është dorëzuar zyrtarisht në LDK.

“Për kandidat nuk kemi biseduar as me Hazirin as me të tjerët. Kur të përfundon procesi, një javë ditë përpara, mundet me ardhë dhe me thanë që kam me kandidu. Por zyrtarisht nuk e kemi asnjë kandidim në LDK”, ka shtuar kreu i LDK’së.

Mustafa ka dhënë shpjegim edhe për zgjedhjet e fundit ku u zgjodh ai kryetar pa asnjë kundër kandidat, duke thënë se ai ishte vullneti i Kuvendi të LDK’së, pasi që Vjosa Osmani nuk kishte arritur që të plotësonte kushtin e parë për të hyrë në votim për kreun e partisë, pra të marrë mbështetjen 50 për qind +1 të delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm të LDK’së.

Kreu aktual i LDK’së ka thënë se në këto zgjedhje do të bëjn përpjekje maksimale për të pasur dy kandidat, dhe që votimi të jetë i msheftë, ashtu siç përshkruhet në statutin e LDK’së.

Ndër të tjera ish-kryeministri, ka bërë thirrje që kjo garë e brendshme zgjedhore në LDK, të mos ndikohet nga jashtë, dhe nga ata që s’kanë qenë kurrë në LDK.

Ai ka shpjeguar edhe numrin e delegatëve që degët do të dërgojnë në Kuvendin e Përgjithshëm. Për çdo 532 vota të marra për këshilltarë komunal, do të dërgohet një delegat. Pra përmes kësaj forme, degët e qyteteve të mëdha, do të jenë determinuese të asaj se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i LDK’së.

‘Kryetarin e LDK’së e zgjedh Kuvendi I LDKs’së, ndërsa përbërja e Kuvendit, do të jetë nga përfaqësuesit e degëve, që rrjedh nga zgjedhjet e fundit lokale. Një delegat vjën në bazë të 532 votave të marra për këshilltarë komunal”, ka shpjeguar Mustafa.

Në këtë konferencë ai ka thënë se kanë biseduar edhe për sitautën politike nëpër të cilën po kalon Kosova, dhe ka përsëritur edhë një herë qëndrimin e LDK’së kundër korrigjimit të kufijve.

“Ajo që ne nuk do të lëshojme pe, është që nuk do të pajtohemi me korrigjim të territorit të Kosovës, me ndryshim të kufijve të Kosovës. Nuk do të lejojmë që në tavolinë të shtrohen çështje që hapin statusin e Kosovës. Dhe nuk do të lejojmë asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ndër të tjera, Isa Mustafa.

Exit mobile version