Site icon Prishtinapress

A po e nxit Beogradi shpalljen e Asociacionit apo autonomisë serbe në veri Kosovës?

Në ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, Beogradi ka paralajmëruar se do t’i inkurajojë përfaqësuesit serb të Kosovës, që të shpallin njëanshëm themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Akti i shpalljes, do të bëhej në Mitrovicën veriore, atje ku Beogradi provoi të instalojë edhe një linjë ilegale hekurudhore që do të lidhte Serbinë me këtë pjesë të Kosovës, pa lejen dhe aprovimin e institucioneve të Kosovës.

Këto veprime të Beogradit, në Prishtinë po shihen jo vetëm si provokime dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe si sinjal se pjesa veriore, e nxitur nga Beogradi, mund të ndërmarr hapa të njëanshëm për më shumë autonomi dhe thellimin e distancës në raport me institucionet qendrore në Prishtinë.

Duke iu referuar aktit të paralajmëruar të shpalljes së njëanshme të Asociacionit, analisti politik, Imer Mushkolaj vlerëson se caktimi i datës 15 shkurt, nuk është i rastësishëm.

Ai përmend edhe zhvillime të ngjashme në Bosnjë e Hercegovinë ku serbët e atjeshëm, kanë ndërmarrë kohët e fundit vendime në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, duke provuar që të përafrohen sa më shumë me Serbinë.
Hapa përafërsisht të ngjashëm, ai thotë se po provojnë të ndërmarrin edhe serbët e Kosovës, sidomos ata në veri.

“Themelimi i njëanshëm i Asociacionit dhe jo themelimi i tij nga institucionet e Kosovës do të nënkuptonte që autonomia për serbët e Kosovës po realizohet dhe pastaj, fatkeqësisht, do të mund të presim edhe hapa tjerë që do të çonin në një ndarje faktike të kësaj pjese nga pjesa tjetër e Kosovës, respektivisht funksionim të pavarur të kësaj pjese në të gjitha segmentet”, tha Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti, Belul Beqaj, mendon se serbët e Kosovës në bashkëpunim me Beogradin patjetër që do të ndërmarrin veprime të njëanshme, sidomos në veri, pasi që qëllimi i Qeverisë së Serbisë, sipas tij, nuk është normalizimi i raporteve, por tensionimi sa më madh e gjendjes në Kosovë.

“Mund ta shpallin në mënyrë të njëanshme, sepse qëllimi është që të bëhet një shkas për konflikt. Ne tërë kohën po flasim se si po shkon procesi drejt konfliktit dhe jo drejt normalizimit”.

“Prandaj, nëse e kemi kuptuar drejt procesin ai po tregon se orientimi nuk është për të zgjidhur problemet por për të shkaktuar aq elemente të rrezikimit të situatës e cila do të ngrit tendosjen në raportet e ndërsjella pavarësisht se çfarë qëllime ka bashkësia ndërkombëtare”, tha Beqaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, paralajmërimet e Beogradit për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm për shpalljen e Asociacionit pa mbështetjen e Prishtinës zyrtare, shihen si tendenca për rikthimin e institucioneve paralele.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj i tha Radios Evropa e Lirë se vet qëllimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka qenë shuarja dhe jo formimi i organeve të reja paralele.

“Çfarëdo veprimi i njëanshëm do të konsiderohet vetëm një organizim paralel. Ne kemi struktura paralele ende dhe qëllimi kryesor i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë dhe është që të shuhen strukturat paralele. Pra, Asociacioni mund të themelohet vetëm me dekret të Qeverisë së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit”, theksoi Gecaj.

Ndërkaq, analisti Ilir Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Serbia ka hyrë në një proces dialogu me Kosovën për normalizim të raporteve dhe se ndërmarrja e veprimeve të njëanshme, do të kundërshtohej nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Marrja e një hapi në Beograd për të themeluar një institucion brenda Kosovës nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky do të ishte një hap që do ta acaronte tutje Serbinë me Bashkimin Evropian. Ky besoj që është më tepër një lloj provokimi i Serbisë, sesa ndonjë gjë tjetër”, tha Ibrahimi.
Shuarja e organeve paralele që Serbia i ka ngritur në Kosovë dhe integrimi i serbëve në jetën institucionale në Kosovë, ishin ndër temat e para të ngritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, kohët e fundit, autoritetet në Prishtinë thonë se Beogradi ka ndërruar tërësisht kursin politik, duke u përpjekur që t’i minojë të arriturat në këtë dialog dhe të kthej sërish politikën e organizimit paralel, institucional të serbëve brenda territorit të Kosovës.

Para se eventualisht, në Mitrovicën veriore, të shpallet njëanshëm Asociacioni serb, atje është ngritur dhe një muri, që për autoritetet në Prishtinë u kuptua muri ndarës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës si dhe janë paralajmëruar zbatime të disa projekteve, pa miratimin dhe konsultimin me institucionet qendrore në Prishtinë.

Exit mobile version