Site icon Prishtinapress

A ndikoi administrata e Trumpit që të arrihet marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd?

Pas dy dekadave është paralajmëruar rikthimi i fluturimeve në linjat ajrore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas. Për këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur këtë linjë ajrore.

Kjo është bërë në një ceremoni në ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Lidhur me këtë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur hapjen e kësaj linje, duke shtuar ky është një hap i rëndësishëm procesin e normalizimit.

“Unë mirëpres kërkesën e Lufthansas për të hapur një linjë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. Jam mirënjohës këshilltarit O’Brien dhe ambasadorit Richard Grenell për shtyrjen e këtij procesi”, shkruan Thaçi.

Nënshkrimin e marrëveshjes e ka mirëpritur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, duke thënë se është një hap gjigant për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Nisma për të hapur rrugën e tretë ajrore civile të Kosovës për fluturime komerciale me Serbinë, pas Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një hap gjigant për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më anë të një shkrimi në Twitter, e ka mirëpritur hapjen e kësaj linje ajrore.

“Ky është një hap i rëndësishëm, i cili do të kontribuojë në përpjekjet për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe do ta bëjë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave më të lehtë dhe më të shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Stoltenberg, shkruan Telegrafi.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve nga Prishtina dhe Beogradi për linjën ajrore është fitore historike e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

“Presidenti Donald Trump edhe një herë na ka udhëhequr në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e linjës së parë ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 viteve. Faleminderit Lufthansa, NATO, Robert O’Brien dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Grenell në Twitter, përcjell Telegrafi.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Exit mobile version