Site icon Prishtinapress

A është Serbia trashëgimtare e ish Jugosllavisë?

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronave të ish Jugosllavisë socialiste, Serbisë dhe ish Krahinës Autonome të Kosovës, si prona të Republikës së Kosovës ka nxitur reagime të ashpra në Serbi. Pretendimi i zyrtarëve serbë është se Serbia është trashëgimtare e ish Jugosllavisë apo shtetit të njohur si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) e cila pushoi së egzistuari në vitin 1992.

Mirëpo cila është bëza e pretendimeve të Serbisë kur dihet që bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Këshili i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mohuar pretendimin e Serbisë për të trashëguar RSFJ-në.

Siç është e njohur, në vitin 1992 ndodhi shpërberja e shtetit RSFJ ku njësitë e saj, përveç Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, u pranuan si shtete të pavarura. Serbia dhe Mali i Zi krijuan shtetin federativ të njohur si “Republika Federale e Jugosllavisë” (RFJ). Ky shtet përfshiu edhe Kosovën pa vullnetin e saj dhe me dhunë, ndonëse Kosova kishte shpallur pavarsinë në vitin 1991. Kjo pavarësi e shpallur e Kosovës, megjithatë, nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.

Shteti i posakrijuar nga Serbia dhe Mali i Zi pretendoi se ishte trashëgimtar i ish RSFJ-së por në rezolutën 777 të vitit 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte konkluduar që “shteti i njohur si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ka pushuar së egzistuari” dhe se “pretendimi i Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali I Zi) që të vazhdojnë automatikisht anëtarësinë në Kombet e Bashkuara nuk është pranuar në përgjithësi”.

Në pikën tjetër të rezolutës, Këshilli i Sigurimit kërkon nga RFJ (Serbia dhe Mali i Zi) që të aplikojë në Kombet e bashkuara si anëtar i ri.

RFJ ka aplikuar për anëtarësi në OKB në nëntor të vitit 2000, si shtet i ri, kur edhe është pranuar. Më vonë, pas pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, Serbia ka trashëguar anëtarësinë e RFJ-së ndërsa Mali i Zi ka aplikuar si shtet i ri në OKB.

Pra, në këtë mënyrë, shkëputja e kontinuitetit RSFJ – RFJ prej tetëvitesh (1992 – 2000) në mënyrë shumë të qarte tregon se pretendimet e Serbisë se është trashëgimtare e RSFJ-së, dhe me këtë edhe e pronave të atij shteti, është i pavërtetë.

Një shkëputje të tillë e kanë theksuar edhe përfaqësuesit serbë gjatë shqyrtimit të akuzave për gjenocid që Bosna dhe Hercegovina kishte bërë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë e ku përfaqësuesit serbë kanë mohuar pikërisht trashëgiminë që po mundohen t’a pohojnë tash./GazetaExpress/.

Exit mobile version