Site icon Prishtinapress

A e fitoi Kosova luftën kundër korrupsionit?

Lufta kundër korrupsionit edhe gjatë vitit 2018, sikur edhe në vitet e kaluara, është potencuar nga institucionet e Kosovës si një prej angazhimeve kryesore. Bazuar raportet e organizatave joqeveritare, gjatë vitit 2018 janë shënuar disa rezultate, por beteja në këtë fushë, sipas tyre, mbetet ende e pa fituar.Rezultatet e para të luftimit të korrupsionit gjatë vitit 2018, besohet se mund të ndërlidhen edhe me kriterin që Bashkimi Evropian u kishte vënë institucioneve të Kosovës, që të dëshmohen rezultate konkrete të luftimit të kësaj dukurie, për të përparuar në procesin e liberalizimit të vizave. Si rezultat, BE-ja kishte njohur përparimet në luftimin e korrupsionit, por megjithatë nuk liberalizoi vizat për qytetarët e Kosovës.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha për Radion Evropa e Lirë, agjencia të cilën e drejton edhe në vitin 2018 ka trajtuar një numër të madha të rasteve të dyshuara për korrupsion e konflikt të interesit.

“Në nivel vendi nuk jemi të kënaqur sa i takon luftës kundër korrupsion edhe pse ka pasur disa zhvillime pozitive, sepse të gjitha raportet, edhe ato ndërkombëtare dhe vendore, tregojnë se Kosova ka shënuar një progres të vogël sa i takon luftës kundër korrupsionit. Ka një numër të madh të aktakuzave që janë procese gjyqësore, megjithatë nëse bëhet një vlerësim, nuk jemi të kënaqur mjaft me punën që është bërëm përkundër disa zhvillimeve pozitive që janë në të gjitha nivelet sa i takon kësaj dukurie”, tha Havolli.

Bazuar në të dhënat e gjykatave dhe prokurorive, gjatë vitit 2018 janë shqyrtuar më shumë se 500 raste të dyshuara si raste korrupsioni.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Fol”, Mexhide Demolli, thotë se megjithatë edhe vitit 2018 ka dëshmuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeti e pa fituar.

Ajo thotë se shoqëria civile vazhdimisht vë në dukje se korrupsioni po e bllokon përparimin e Kosovës, po sjellë zhvillim të padrejtë dhe të pabarabartë në shoqëri.
Siç thotë ajo, kjo dukuri po e ushqen krimin e organizuar dhe kriminelët, duke e dëmtuar kështu imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Korrupsioni në Kosovë më nuk është çështje percepsioni, porse është shndërruar në mendësi politike gjithandej në institucionet publike tash e disa vite. Ende kemi mijëra lëndë të korrupsionit që trajtohen nga prokuroria dhe gjykatat, ndërsa proceset vazhdojnë të zvarriten me vite të tëra. Mbi 90 për qind e personave të akuzuar për korrupsion janë zyrtarë publikë, shifër kjo e cila flet edhe për natyrën e korrupsionit dhe për faktin se sa e korruptuar është e gjithë administrata shtetërore”, tha Demolli.

Demolli përmendi faktin se në Qeverinë aktuale tash më janë gjashtë ministra që janë me aktakuza për korrupsion.

“Qeveria në asnjë rrethanë nuk do të duhej të lejojë që të ketë ministra ose deputetë që e kalojnë një pjesë të kohës në salla të gjykatave, duke u përballur me akuza për korrupsion, e pjesën tjetër të kohës duke marrë vendime në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre si ministra apo deputetë. Nga këto më sipër, rezulton se mobilizimi i shoqërisë kundrejt korrupsionit më nuk është çështje pritjeje, por imediate. Jo në nivel deklarimi, por me veprime konkrete që çojnë në zbatimin e ligjit dhe denoncimin e çfarëdo tentative të tillë”, tha Demolli.

Kurse Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se korrupsioni i nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë dhe fenomen që po shkatërron demokracinë dhe po pengon zhvillimin ekonomik në vend.

“Përderisa ende nuk e kemi një profil të lartë, i cili është i dënuar me burgim efektiv qoftë edhe një ditë për korrupsion, konsiderojmë se në tërësi përpjekjet për ta luftuar korrupsioni e nivelit të lartë janë të dështuara. Nuk mund të gëzohet askush me akte procedurale të ngritje të aktakuzave ndaj profilit të lartë, për derisa ato nuk provohen në gjykata, pra, nuk kemi dënime përfundimtare me burgim efektiv. Fakti që këto aktakuza po dështojnë vazhdimisht dhe dëshmon që këto aktakuza po ngriten qëllimisht me prova dhe dëshmi të mangëta ose po ngriten për t’i persekutuar ose për t’i amnistuar përjetësisht këta zyrtarë të lartë”, tha Musliu.

Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se profili i rasteve të korrupsionit që ndiqen në Kosovë, është profil i ulët dhe rrallë herë i profilit të lartë.

“Bazuar në monitorimin sistematik të Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se ende asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është i dënuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit. Duke qenë se nuk ka ndjekje të profitit të lartë, dhe ndikimet politike në emërimin e pozitave të larta janë vazhdimisht prezent, atëherë kjo luftë nuk mund të zhvillohet pa pasur njerëz me integritet”, tha Musliu.

Krahas zyrtarëve në Bruksel, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë në vend, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit.

Ishin ambasadat e vendeve perëndimore në Prishtinë që në vazhdimësi organizuan gjatë gjithë vitit debate, tryeza e diskutime për rëndësinë që ka për një vend si Kosova që po synon të bëhet pjesë e familjes së integruar evropiane, luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Exit mobile version