24.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

A do të arrijë Kadri Veseli ta heqë ndikimin e Thaçit nga partia?

Kreu i PDK-së ka vendosur që ta çrrënjosë ndikimin e Thaçit te ministrat e partisë së tij. Abelard Tahiri ka ofruar dorëheqjen nga Ministria e Drejtësisë, e kryeministri Haradinaj ka thënë se pritet të shkojë deri në tre numri i ministrave të PDK-së, që Kadri Veseli pritet t’i shkarkojë. Bedri Hamza flet për Express nëse ai është një nga të prekurit në reformimin që Veseli po planifikon ta bëjë.

Lundrimi në Liqenin Ujman, trazoi ujërat brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Kadri Veseli për herë të parë, publikisht, goditi paraardhësin e tij në parti, mikun e tij, që tani nuk e dimë nëse e ka akoma të tillë, Hashim Thaçin.

Siç duket Veseli nuk po mund ta durojë udhëheqjen paralele që presidenti Thaçi e bën në PDK, përmes deputetëve dhe ministrave.

Kreu i PDK-së ka vendosur të largojë të gjitha ata që i binden Thaçit. Do të fillojë me largimin nga Qeveria të ministrave, që konsiderohen si të Thaçit. Kryeministri Ramush Haradinaj konfirmoi mbrëmë në emisionin Pressing të Televizionit 7 se kryetari i PDK-së dëshiron të ndryshojë tre ministra.

Veseli të shtunën përmes një statusi, kritikoi ashpër vizitën e presidentit në Veri.

Megjithatë, kryetari i PDK-së kishte dy ministra të tij në barkën që lundronte në Ujman, me Thaçin drejtues të saj. Përveç Tahirit, krah Thaçit ishte edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Nuk dihet se çfarë pune do të kishte shefi i Financave gjatë vikendit në Ujman, mirëpo në një prononcim për Gazetën Express, Hamza ka thënë se ai po vazhdon të kryejë punët e tij në dikasterin që ai e udhëheq.

Hamza, i pyetur nëse ndryshimi që do të bëjë Veseli në Qeveri do ta prekë edhe atë, ka thënë se askush, e as kryetari i PDK-së nuk e ka folur këtë çështje me të.

“Unë jam duke e bërë punën time në Ministrinë e Financave. Askush nuk ka folur me mua në lidhje me këtë [riformatizimin e ministrive të PDK-së]”, ka thënë ministri Hamza për Express.

Ministri Hamza ka thënë se nuk ka folur me shefin e partisë nga e cila është emëruar si ministër, as për vizitën në Liqenin e Ujmanit, bashkë me presidentin Thaçi.

Ndërsa, ministri i Financave nuk e di nëse Veseli do të vendosë ta largojë atë nga posti që ai mban.

Veseli ka folur sot para mediave, pas një mbledhjeje që ka pasur në partinë e tij. Veseli ka thënë se PDK-ja është në procesin e reformimit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka qenë një nga njerëzit që i ka shërbyer për një dekadë Thaçit në institucione; kur Thaçi ishte kryeministër, Tahirin e kishte shef të kabinetit. Pa u bërë ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ishte këshilltar i Thaçit president.

Pas një lundrimi që pati të shtunën me Thaçin në liqenin e Ujmanit, veprim ky që kreu i PDK-së e kritikoi haptas, Abelard Tahiri të hënën ofroi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Gazeta Express raportoi dje, duke cituar burime të besueshme, se dorëheqja e Tahirit është produkt i një konflikti të madh që ka shpërthyer brenda dy liderëve të PDK-së, presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli.

Veseli dëshiron t’i largojë ministrat, që e ndjekin presidentin Thaçi duke thënë se ai është që vendos nëse Tahiri do të largohet nga Qeveria. Ndërkaq, kryeministri Haradinaj tha se Veseli së shpejti mund të ndryshojë tre ministra.

PDK-ja udhëheq Ministrinë e Financave, Shëndetësisë, të Drejtësisë, të Inovacionit dhe të Integrimeve Evropiane.

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles