Site icon Prishtinapress

A do ta nis luftën Kosova nëse Franca ekstradon Ramush Haradinajn në Serbi?

Mbajtja në Francë e kreut të AAK-së dhe mundësia e ekstradimit të tij në Serbi, ka mllefosur qytetarët e Kosovës, por edhe familjarët e tij, të cilët kanë kërcënuar me luftë në rast të ekstradimit të tij në Serbi.

Por ekspertët, kanë thënë se Haradinaj, i cili që nga 4 janari po mbahet në Francë, ku është ndaluar në bazë të një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti serb, nuk do ekstradohet në Serbi, pasi sipas tyre, faktet serbe janë “imagjinare”.

Zogaj: Haradinaj kthehet më 27 prill në Kosovë

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë se mbajtja në Francë e Ramush Haradinajt është veprim vërtetë skajshmërisht provokues, pos tjerash edhe për mbajtjen e stërzgjatur, “sepse, po të dëshironte, drejtësia franceze kaherë do ta kishte thënë vendimin e saj”.

“Se fjala është për një qëllim të improvizuar, do të sqarohet më vonë, kur të përfundojë ky proces dhe të shihet se, gjithçka është e planifikuar. Të gjithë e kemi të qartë se, Franca është e vetëdijshme për kërkesën banale të Serbisë, prandaj, jo rastësisht e ka marr peng njërin nga personalitetet më të shquara politike dhe heroin e luftës e të lirisë së Kosovës”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Analisti politik Skender Zogaj

Po ashtu, ai ka thënë se mbajtja kaq e gjatë e tij, është dëshmi se nuk ka asnjë arsye që të ndodh ekstradimi, por Franca është duke eksperimentuar me Kosovën dhe Serbinë, për t’ua provokuar “pulsin e mllefit të keq!”.

Ai ka përjashtuar mundësinë e shpërthimit të luftës mes Kosovës dhe Serbisë, në rast se Haradinaj ekstradohet në Serbi.

“Tash gjithçka është zbërthyer dhe Haradinaj, më 27 prill, do të kthehet në Kosovë, më fitimtar se nga Haga. Ekstradim në Serbi nuk do të ketë, sepse nuk ka arsye të ketë. Por edhe po të ndodhte ekstradimi, s’ka asnjë mundësi për shpërthim lufte mes Kosovës e Serbisë, sepse, të dy vendet e kanë dëshmuar “trimërinë”. Pra, lufta është e thashethemeve dhe llomotitjeve të individëve dhe grupeve që, po e shfrytëzojnë rastin Haradinaj për të promovuar patriotizmin e tyre të munguar, duke u përpjekur që t’i tregojnë Ramushit sa shumë e duan, por në fakt janë ata që e duan, sepse, po ta çmonin siç po tregohen me fjalime, Ramush Haradinaj nuk do të binte në kurthin e pamerituar, që ka gjasa të shumta që ka qenë me skenar paraprak. Buja propagandistike shumë qëllimkeqe, është dëshmi dhe fakt se, ka qenë me ndikim të madh në zgjatjen e kohës së mbajtjes në Francë dhe i vuajtjeve të tij mjaft të mëdha”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Burjani: Kosova të nxjerrë fletarreste ndaj zyrtarëve serb të përfshirë në krimet e luftës

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë se nuk ka mundësi që të bëhet ekstradimi i Haradinajt me fletarrestimin të lëshuar nga Serbia.

“Jo nuk ka gjasa ekstradimi në Serbi, pra kjo nuk do të ndodhë. Këtij verifikimi të këtyre fakteve të imagjinuara serbe do të i’u vije fundi, vetëm nëse ka diçka tjetër, por në bazë të flet-arrestit serb nuk do të ekstradohet. Është shumë e çuditshme kjo që po ndodhë atje , pra askush nuk ka mundur të besojë në Kosovë e as në bashkësinë ndërkombëtare që me fletarreste të një shteti tjeter, i cili kishte bërë vrasje makabre në Kosovë, të arrestohen”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Analisti Blerim Burjani

Ai ka theksuar se edhe autoritetet e vendit duhet të nxjerrin fletarreste ndaj zyrtarëve serb të përfshirë në krime të Kosovës.

“Nëse zihen në Kosovë do të arrestohen. Disa zyrtarë serbë edhe pse ishin në pushtetin gjenocidal serb, vijnë e shkojnë në Kosovë pa i prekur kush, andaj kjo shumë shpejt mund të rishikohet nga autoritetet shtetërore të Kosovës”, ka përfunduar Burjani.

Exit mobile version