Veseli për vrasjen në Prizren: Drejtësia të japë përgjigjen e merituar

0
40

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka dënuar ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Prizren, ku një burrë qëlloi për vdekje gruan e tij, duke i bërë thirrje drejtësisë që t’i japë përgjigjen e merituar autorit.

Veseli tha se dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave bien ndesh me vlerat tradicionale të familjes shqiptare.

Kryekuvendari shtoi se neglizhenca dhe indiferenca e institucioneve shtetërore të ligjit ndaj grave të kanosura apo thirrjeve të grave për ndihmë, nuk do të tolerohen më.

“Ngjarja e rëndë e vrasjes në Prizren, është një akt i papranueshëm të cilin e dënoj fuqishëm. Dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave, janë fenomene që shkojnë ndesh me vlerat tradicionale të familjes sonë si dhe me të drejtat themelore të njeriut. Gratë në Kosove kanë qenë në vazhdimësi subjekt i diskriminimit, abuzimit e dhunës. Me këtë rast i bëj thirrje policisë dhe institucioneve të drejtësisë që të japin përgjigjen e merituar për këtë rast të dhimbshëm dhe që çështjet që lidhen me dhunën ndaj grave ti trajtojnë me përparësi dhe përkushtim të veçantë. Neglizhenca dhe indiferenca e institucioneve shtetërore të ligjit ndaj grave të kanosura apo thirrjeve të grave për ndihmë, nuk do të tolerohen më”, tha Veseli.