Kurti kërkon seancë për shpërbërjen e Kuvendit

0
21

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme dhe të shpërndahet.

“Qeveria ka rënë, besoj që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe sa më parë të shkojmë në zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike në mënyrë që të kemi një qeveri të re për vendin dhe legjitimitet të freskët për institucionet e shtetit. Meqë të gjithë u deklaruan për zgjedhje nuk besoj se do të ketë pengesa për një seancë ku do të shpërndahej Kuvendi. Subjektet politike janë deklaruar se janë për zgjedhje të parakohshme ose duhet të shpërndahet Kuvendi ose duhet të kuptohet se mbase dikush nuk e ka pasë seriozisht një deklarim të tillë”, ka thënë Kurti.

Ai duke folur për Qeverinë e re në ardhje, tha se vetëm Vetëvendosja dhe LDK-ja janë opozitë e vërtetë e cila duhet ta bëjë qeverisjen e vendit.

“Ne dhe LDK-ja jemi opozita e vërtetë dhe është e logjikshme që Qeveria e re për ndryshime demokratike opozitën e vërtetë duhet ta bëjë qeverisje të vendit”, tha Kurti.

Duke folur për thirrjen e mbledhjes së Qeverisë nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e cila pritet të mbahet nesër, tha se është vendim i gabueshëm, i padrejtë dhe i dëmshëm.

“Thirrja e mbledhjes së Qeverisë, mendoj se është e gabueshme, e padrejtë dhe e dëmshme. Tash është kohë që të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për shpërndarje të Kuvendit dhe jo mbledhje të Qeverisë e cila ka rënë”, tha kreu i VV-së.