Zyrtarizohet marrëveshja që çon më shumë infermierë kosovarë në Gjermani

0
37

Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë dhe këtë mungesë mund ta kompensojë vetëm me ardhjet nga vendet tjera.

Kështu deklaroi sot në Prishtinë ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë Jens Spahn, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunimin Kosovë-Gjermani në fushën e shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marrë edhe zotimin gjerman për prioritetet kryesore si menaxhimi spitalor dhe sigurimi shëndetësor, teksa bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për ndërtimin e një qendre për trajnimin e infermierëve.

“Sot është një ditë historike për Kosovën për faktin se kemi një zotim të Gjermanisë se do të ndihmojnë shëndetësinë e Kosovës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje është një hap i ri për të krijuar një sistem modern shëndetësor ne vend. Qëllimi i Kosovës mbetet që të marrë praktika më të mira evropiane”, tha ai.

Ndërsa, ministri Spahn tha se Kosova dhe Gjermania kanë mundësi të mira të bashkëpunimit, pasi Gjermania ka numër më të madh të qytetarëve të vjetër, kurse Kosova ka të rinj. Ai tha se marrëveshja e sotme mund të shërbejë si bazë për shkëmbim të përvojave.

“Gjermania ka një ekspertizë më shumë se 125-vjeçare. Ne me përvojat tona dëshirojmë të ofrojmë përkrahje dhe këshillim. Në anën tjetër kemi edhe fushat se ku mund të ndihmojmë, si kualifikimi dhe certifikimi në fushën e infermierisë. Në të ardhmen mund të ngrisim nivelin. Diplomat e infermierisë do të ishte mirë të njiheshin më lehtë në Gjermani. Gjermania ka nevojë për ardhje të ekspertëve të fushës së infermierisë. Për këtë arsye, jam i lumtur që kemi krijuar një bazë të përbashkët. Një qëllim yni është shkollimi profesional nëpër shkolla, i cili i referohet standardit gjerman. Gjithashtu, sot për së afërmi kam parë edhe procedurat e vizave, dhe duhet të shohim përshpejtimin e marrjes së vizës për infermierët”, tha ai.

Për më tepër, ministri Spahn ka bërë të ditur se do të ketë këmbim dhe përkrahje në fushën e sigurimit shëndetësor.

“Unë kam dëgjuar se do të mund të ketë përkrahje në praktike në fushën e sigurimit shëndetësor. Po ashtu, shtrohet pyetja, në rast të një situate emergjente, kur një person nuk është në gjendje të mbulojë shpenzimet financiare, atëherë do t’i ofrohet ndihma. Ne kemi nevojë për rreth 70 mijë infermierë. Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet tjera, dhe Kosova është shteti i parë me të cilën nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, u shpreh ai, raporton KsP.