Për një vit e gjysmë, janë raportuar 343 raste të personave të zhdukur në Kosovë

0
36

Që nga fillimi i vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 343 raste të personave të zhdukur. Prej tyre, 248 raste janë raportuar gjatë vitit 2018, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 95 raste.

Megjithatë, në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se sa prej këtyre rasteve janë zgjidhur, e as për natyrën dhe lidhjen eventuale të këtyre rasteve, me raste të tjera, si: migrimi ilegal pa informuar familjen, martesa apo bashkëjetesë pa informim të familjes, trafikim me qenie njerëzore, apo të tjera.

Sipas disa të dhënave të prezantuara nga Policia e Kosovës, në janar të këtij viti, rastet e trafikimit me qenie gjatë vitit 2018 kanë shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak.

Gjatë vitit 2018 numri i viktimave të trafikimit ka qenë 15, prej tyre 12 me shtetësi të Kosovës. Kurse një vit më herët, më 2017, numri i viktimave ka qenë dyfish më i lartë, 32, prej tyre 25 me shtetësi të Kosovës.

Disa raste që, fillimisht, në Polici raportohen si persona të zhdukur, më pas përfundojnë në raste të trafikimit, ku kryesisht viktimat janë gra dhe vajza.

Zyrtarja e lartë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në Qeverinë e Kosovës, Adile Shaqiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha 17 viktimat e trajtuara në strehimoren shtetërore, gjatë vitit të kaluar janë të gjinisë femërore, pjesa më e madhe e tyre të moshës së mitur.

“Gjatë vitit të kaluar janë strehuar gjithsej 17 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, ku njëra nga viktimat ka qenë e shoqëruar me fëmijë… Ky numër, në aspektin gjinor konsiston se të gjitha viktimat e strehuara ishin të gjinisë femërore. Tri (3) prej tyre të moshës madhore, 14 të moshës së mitur. Ndërsa në aspektin e shtetësisë, 12 ishin vendore, ndërsa 5 ndërkombëtare. Po flasim për statistikat e vitit 2018. Të gjitha këto raste, pas trajtimit emergjent që u është bërë brenda strehimores shtetërore, kanë kaluar në qendrën re-integruese, organizatë joqeveritare, partnere e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ofron shërbime rehabilituese dhe re-integruese për këtë kategori në nevojë”, tha ajo.

Sipas, zyrtares Shaqiri, shumë prej viktimave janë në ndikimin e narkotikëve, gjë që kërkon përgjegjësi dhe angazhim shtesë të stafit të strehimores.

“Shumica e viktimave janë nën ndikim të substancave narkotike, nga 17 rastet 4 prej tyre ishin persona që konsumonin substanca të tilla. Normalisht, që kjo është një përgjegjësi shtesë e stafit të strehimores, e cila trajton në aspektin psikologjik, social e kështu me radhë, përdorueset e substancave, ish viktimat e trafikimit me qenie njerëzore”, shtoi zyrtarja e Ministrisë.

Shqetësuese, sipas saj, është “rritja e numrit të viktimave vendore të trafikimit me qenie njerëzore, ku në shumicën e rasteve viktimat janë të mitura”.

Pos trafikimit të organizuar, përmes rrjeteve kriminale, sipas Drejtoreshës Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, së fundmi Kosova është e rrezikuar nga lloj i ri i trafikimit me qenie njerëzore – ai individual.

“Kohëve të fundit Kosova po rrezikohet nga trafikimi individual me qenie njerëzore, ku një person merr një grua dhe nuk ka rrjet të bashkëpunimit të trafikimit dhe është shumë vështirë të evitohen dhe Policia e ka shumë të vështirë t’i evidentojë këto raste, sepse edhe në rajon është shumë i përhapur ky lloj trafikimi, dhe i rrezikshëm. Sepse ndodh që gratë, vajzat e reja apo edhe djemtë e ri të bien pre e këtij lloj mashtrimi, të trafikimit, të zhduken ose të ndodhë të martohen me forcë, ose ndodhë ta dërgojnë në një vend tjetër në regjion apo vende tjera”, tha ajo.

Demolli kërkon veprim të institucioneve shtetërore, pasi, sipas saj, niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë ndër gra, bën që ato të bien pre e mashtruesve dhe trafikantëve, të cilët përdorim punën si karrem.

“Nuk duhet të jemi neglizhentë në këto situata, sepse papunësia është shumë e madhe, varfëria shumë e madhe e grave. Në Kosovë janë vetëm 12 për qind e grave që janë të punësuara dhe kanë një pagë, dhe papunësia kaq e madhe, sidomos e grave të reja, bën që lehtë të bien pre e mashtrimeve, sepse trafikantët përdorin punësimin si një lloj joshje për të komunikuar dhe për të keqtrajtuar dhe abuzuar viktimën”, theksoi Demolli.

Shpesh raste të tilla, që raportohen si zhdukje, përfundojnë edhe në martesë apo bashkëjetesë, qoftë të detyruar apo me dëshirë, por edhe lidhje të të miturve. Në këto raste, pjesa më e madhe janë vajza nga komunitetet rom, ashkali e egjiptas.

Lidhur me këtë, Demolli beson se institucionet shtetërore duhet t’i fuqizojnë mekanizmat e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj viktimave të këtyre rasteve, që, sipas saj, shpesh “përfundojnë në viktima të abuzimit dhe mashtrimit”.

“Realisht, për këto raste duhet një vëmendje, duhet të jenë punëtorët socialë, psikologët, sepse të zhduket një qytetare, brenda natës, siç ndodhi këto ditët e fundit, ku një grua u zhduk, dhe shteti të mos i ketë mekanizmat e vetë që alarmon, viziton viktimën, shoqërohet me një psikolog, e mbanë në vëzhgim, në kuptim të jetës se çfarë ndodh më pas atë person që në rrethana të paqarta ka lënë shtëpinë dhe ka ikur, nuk është e lehtë, me siguri ka ikur nga një vendi dhunës ose po gjen një vend të dhunës”, shtoi drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017 nën dyshimin për kryerje të veprës penale trafikim me qenie njerëzore janë arrestuar 203 persona, ndërsa vitin e kaluar, për të njëjtat dyshime janë ishin të arrestuar 263 persona.