Arrestohet një person, policia i gjen dokumente të falsifikuara që ndërlidhen me listat e veteranëve

0
33

Prokuroria Themelore e Pejës,ka njoftuar se kanë realizuar një bastisje në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për krime ekonomike, në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Gremnik të komunës së Klinës. Bastisja është kryer pas kërkesës së Prokurorisë Themelore dhe me urdhërese të Gjykatës Themelore të Pejës.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit Xh.M., janë gjetur dokumentacione të falsifikuara që ndërlidhen me listat e veteranëve.

I dyshuari Xh.M. është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa prokurori i shtetit për të lartcekurin ka marr aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Javën e kaluar, Prokuroria Themelore e Pejës, lidhur me listat e veteranëve luftëtarë të UÇK-së, ka ngritur 20 aktakuza, kundër 21 personave, për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes se rreme”, nga neni 403, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.