PAS AKSIONIT MASIV TË POLICISË, VESELI SHKON NË VERI TË MITROVICËS

0
27

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në pjesën veriore të Kosovës ku ka vizituar banorët në Zubin Potok.

Kryeparlamentari Veseli i ka siguruar banorët e pjesës veriore se institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë pranë tyre dhe nuk do të lejojnë asnjë provokim nga askush, ndërsa i ka siguruar se të gjithë ata që kanë kryer krime, pavarësisht petkut që mbajnë, do të përgjigjen para ligjit.

“Dua t’ju siguroj ju banorëve të Zubin Potokut dhe nëpërmjet jush të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, shqiptarë e serbë, se Ligji është i barabartë për të gjithë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore në gjithë hapësirën e territorit të Republikës së Kosovës. Askush, si shqiptarë ashtu edhe serbë, nuk kanë nevojë të shqetësohen dhe të krijojnë të paqena në rastet kur vepron ligji. Ne nuk do ta tolerojmë krimin e organizuar e as dukuritë korruptive të cilat e dëmtojnë shtetin. Operacioni i sotëm është operacion ndaj dukurive negative, është operacion kundër të involvuarve në krim të organizuar, edhe në veri, edhe në jug, edhe në lindje, edhe në perëndim të shtetit tonë. Nuk ka nevojë për shqetësim. Ka nevojë të ketë siguri për ju si familje dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë këtu në Zubin Potok dhe në gjithë Republikën tonë”, tha Kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Institucionet e Kosovës do ta ushtrojnë veprimtarinë ligjore në gjithë sovranitetin e territorin e Kosovës. “Në këtë nuk ka kompromis, për aq sa nuk do të ketë kompromis as në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju duhet të qëndroni të qetë. Ne jemi në komunikim edhe me institucionet lokale. Askënd nuk do ta tolerojmë të veprojë kundër ligjit dhe të dëmtojë shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht petkun institucional që kanë. Nuk do ta lejojmë askënd të ngacmojë qytetarët tanë dhe asnjë qytetarë të Republikës së Kosovës, qoftë shqiptarë apo serbë”, tha Veseli.

Eshtref Ferizi nga fshati Çabër i Zubin Potokut e ka falënderuar Kryeparlamentarin Veseli për vizitën në pjesën veriore.

“Ju falënderoj në emër të gjithë qytetarëve të fshatit Çabër këtu në Zubin Potok. Ardhja juaj sot këtu na bën të ndihemi krenarë dhe të sigurt, sidomos në këso krizash, mirëpo Policia duhet ta kryej punën e vet. Të gjithë ndihemi mirë dhe të sigurt kur një kryetar Kuvendi viziton qytetarët e vet. Kemi sakrifikuar për këtë tokë dhe këtu do të jemi gjithmonë”, tha Ferizi.

Pas vizitës në shtëpinë e Eshtref Ferizit, Kryeparlamentari Veseli ka takuar edhe banorë tjerë të Zubin Potokut, duke i siguruar se institucionet e Kosovës do të jenë afër tyre.