6.9 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Stuhia “Andrea” godet Ballkanin. Në disa shtete gjendje e jashtëzakonshme. Rrezik edhe në Kosovë

Një përkeqësim i kushteve atmosferike, me shira të rrëmbyer dhe erëra të forta, ka goditur pjesë të Ballkanit Perëndimor, ku në disa rajone është shpallur gjendja e emergjencës nga përmbytjet.

Më kritike situata duket në veriperëndim të Bosnje-Hercegovinës, ku vërshimi i ujërave kërcënon disa fshatra. Paralajmërime janë lëshuar edhe në Serbi e Kroaci, ndërsa po shihet me kujdes situata e lumenjve të mëdhenj, duke nisur nga Danubi e Sava.

Parashikimet se stuhia “Andrea” pritet të çojë në Shkup reshje prej 50 deri 80 milimetra për metër katror detyruan Qendrën e Krizave të mblidhet në një takim urgjent të drejtuar nga Dushko Veskovski, drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, ku u diskutua koordinimi i aktiviteteve dhe u caktuan detyrat mes ndërmarrjeve publike, brigadës së zjarrfikësve e shërbimeve të inspektimit.

Përpara mbërritjes së stuhisë, – thonë burime në kryeqytetin maqedonas, – po kontrollohen pusetat dhe kanalet e kullimit, ndërsa banorët janë këshilluar të mos parkojnë poshtë pemëve. Shi e stuhi parashikohen përgjatë të gjithë javës edhe në Kosovë, ku temperaturat maksimale pritet të shënojnë ulje me deri në 7 gradë, e ku mund të ketë edhe shkarkime rrufesh.

Moti i keq shkaktoi dy viktima gjatë fundjavës në Itali, në zonën e Brescias. Përkeqësimi i situatës, sipas shtypit italian i detyrohet një fronti të ftohtë, të zbritur nga Europa e Veriut, ndërsa ashpërsimi i kushteve atmosferike në disa rajone të fqinjit të përtej Adriatikut është shoqëruar me erëra të dhunshme dhe breshër.

Tahir Ahmeti: Vërshimet mund të shkaktojnë dëme të paparashikueshme

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), thotë se vërshimet e mundshme që janë parashikuar nga IHMK mund të shkaktojnë dëme të mëdha

“Vërshimet e mundshme që janë parashikuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, hyjnë në kategorinë e vërshimeve të shpejta duke përfshirë territore të caktuara dhe kalojnë shpejt, kryesisht ndodhin në lumenjtë ose përroskat e vogla malore, por që mund të shkaktojnë dëme të paparashikueshme”, tha Ahmeti.

Tutje ai thotë se IHMK-ja ka informuar në kohën e duhur qytetarët dhe opinion në lidhje me zonat që mund të vërshohen.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në bazë të përgjegjësive ligjore që i ka, bazuar në ligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike, ka bërë paralajmërimin e duhur me dhënien e informatave në lidhje me vërshimet e mundshme që mund të ndodhin në zona të ndryshme të vendit, ndërsa institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, në mënyrë që dëmet e mundshme të jenë sa më të vogla”, thotë Ahmeti.

Paralajmërohen vërshime në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se që nga data 14 maj, do të ketë të reshura prej 30-50 mm.

Sipas parashikimeve të institutit zonat më të prekura nga vërshimet mund të jenë rrethinat e qytetit të Pejës, Junikut, Deçanit, Prizrenit, Dragashit si dhe zonat malore.

Megjithatë zyrtarë të Institutit dhe meteorologu Sylë Tahirsylaj thonë se kjo gjendje nuk është e jashtëzakonshme dhe nuk ka vend për panik.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles