Kosova ka 28 Konsuj Nderi, mësohen emrat e tyre

0
42

U përplasën për Konsujt e Nderit të Kosovës. Në mbledhjen e fundit, Komisioni për Politikë të Jashtme i kërkoi Ministrit Behgjet Pacolli listën e plotë të Konsujve të Nderit.

E listën e shumëkërkuar nga deputetët e këtij komisioni, e ka siguruar T7.

Siç shihet Ministria e Punëve të Jashtme që nga themeli në vitin 2008, ka emëruar 28 konsuj nderi nëpër botë.

Franca, Gjermania, Austria, Holanda e Mbretëria e Bashkuar janë vetëm disa nga vendet europiane ku Kosova ka emëruar konsuj të nderit.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tani sipas listës së MPJ-së është Konsull Nderi i Kosovës.

E shteti ku më së shumti veprojnë konsujt e nderit të Kosovës është Turqia.

Janë gjithsej dhjetë persona që bartin këtë titull në disa qytete turke.

Në mesin e tyre janë Fahrettin Gunler, biznismen nga Bursa dhe Muharrem Toprak nga qyteti i Izmirit, emri i të cilit figuron gabimisht dy herë në listë.

E titullin e konsullit të nderit të Kosovës në Korçë të Shqipërisë sipas listës e bartë edhe Mentor Nazarko, këshilltar i jashtëm i Ministrit Pacolli.

E biznesmenët në listën e konsujve të nderit janë të shumtë.

Njëri nga ta është Benjamin Rusi që veprimtarinë si pjesë e diplomacisë kosovare e kryen në Dibër të Maqedonisë së Veriut.

E pos biznismenëve ka edhe profesorë të ndryshëm, si Edëard Jackson në Zelandë të Re e Odile Perrot në Francë.

Por anash nuk është lënë as Afrika.

Në Togo Kodjo Kpadenou është emëruar konsull nderi, ndërsa në Senegal është Aidara Maham.

E në Azi, Kosova përfaqësohet me dy konsuj nderi: në Japoni e Pakistan.

Për të gjitha këto emërime, MPJ ka këtë përgjigje.

E në bazë të ligjit për shërbimin e misioneve diplomatike, konsujt e nderit janë pjesë përbërëse e strukturës së shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Ata kanë imunitet diplomatik dhe emërohen me qëllim të përfaqësimit sa më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

E për këtë punë ata nuk paguhen.