Hooper: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA në nivelin më të ulët në 20 vjet

0
27

Një analist me përvojë në politikën e Ballkanit, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në nivelin më të ulët në 20 vjetët e fundit.

Sipas tij ky raport rezulton të jetë për shkak të çështjes së tarifave.

James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tha se negociatat me Serbinë duhen parë në këndvështrimin e ndërtimit të një marrëdhënieje dhe jo të një transaksioni.

Hooper siç shkruan Zëri i Amerikës, ka deklaruar se 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, ai e konsideron Kosovën histori suksesi, por tërheq vëmendjen se ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.

“Ka dëmtuar strukturën e marrëdhënies. Ajo që dëgjoj në Uashington, në Departamentit e Shtetit dhe gjetiu në qeveri dhe në Shtëpinë e Bardhë, ata tani i shohin kosovarët si më nacionalistë, që shkaktojnë probleme, që bëhen të vështirë për amerikanët të merren me ta. Dhe e përsëris, nuk po them që kur amerikanët i thonë Kosovës të bëjë diçka, ata ta bëjnë duke injoruar interesat e tyre, por kur amerikanët i bëjnë të ditur Kosovës se është një çështje shumë e rëndësishme për ta, ne presim një farë bashkëpunimi dhe një reagim konstruktiv dhe që të gjejnë një mënyrë të përgjigjen dhe kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Hooper.