Rreth 150 mijë euro e gjithë shuma për të cilën akuzohen Bukoshi, Gashi e Osmani

0
46

Dyshimet për shpërdorim dhe abuzim me Fondin e 3- përqindëshit para vitit 2008 ligjërisht nuk do të mundë të ndiqen asnjëherë më. Kjo për shkak se Prokuroria Speciale e ka kufizuar periudhën e hetimit prej vitit 2008 deri më 2015.

Aktakuzën kundër ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, asistentit të tij, Atdhe Gashi, e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, e ka dërguar në gjykatë më 2017. Dëmi i pretenduar i Prokurorisë së Shtetit është mbi 150 mijë euro. Fondi, sipas përgjegjësve, kishte vlerë qindra miliona euro. Përveçse ligjërisht është i pamundur çfarëdo hetimi tjetër për “Fondin 3 për qind” para vitit 2008, edhe veprat penale për të cilët ngarkohen tre të akuzuarit do të parashkruhen brenda disa muajsh, shkruan sot Koha Ditore.

Prokuroria Speciale në aktakuzën që e ka siguruar gazeta ngarkon tre të akuzuarit me dy vepra penale. Veprat penale, sipas Kodit të Përkohshëm, që ishte në kohën e UNMIK-ut, me të cilën janë ngarkuar ish-menaxherët e këtij fondi, janë shpërdorim i pasurisë dhe shmangie nga tatimi.