15.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Thaçi për gazetën gjermane: Nuk ka harta në tavolinën e diskutimeve në Bruksel

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një intervistë të dhënë për median gjermane, ka folur për kohën e bombardimit të NATO-s mbi caqet serbe si dhe aktualitetin politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për natën e 24 marsit, Thaçi ka thënë se në atë kohë gjendej në male në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ai thotë të jenë njoftuar parprakisht që atë ditë do të fillojnë bombardimet, transmeton prishtinapress.eu

Thaçi thotë se Kosova do të jetë përherë mirënjohese për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Duke folur për marrëveshjen me Serbinë, Thaçi u shpreh se e njëjta duhet të jetë po aq e suksesshme si ajo mes Gjermanisë dhe Francës.

Ai thotë se 70 përqind e kosovarëve e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse kufijtë janë pjesë e diskutimeve, ai tha se në tavolinën e dialogut nuk ka asgjë deri më tani dhe se në të nuk ka harta.

Presidenti i quajti spekulime mediatike zërat se një marrëveshje mes dy vendeve do të arrihet në qershor në Uashington.

Kjo është intervista e plotë e Thaçit:

Süddeutsche Zeitung: A ju kujtohet ku ishit më 24 mars 1999 – në kohën kur filluan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë?

Hashim Thaçi: Isha në male, në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ne ishim njoftuar paraprakisht nga NATO-ja, që atë ditë do të fillonte bombardimet.

Pas 20 vjetëve, sa e madhe është mirënjohja për Perëndimin?

Hashim Thaçi: Ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës. Pa ndërhyrjen ushtarake, shqiptarët sot nuk do të ekzistonin në Kosovë dhe bombardimet ndaluan spastrimin etnik.

Paqe të vërtetë nuk ka as pas 20 vjetësh. Për të marrë një ulëse në Kombet e Bashkuara dhe mundësinë për t’u bërë anëtare e BE-së, duhet të arrini një marrëveshje, me anë të së cilës, Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur. A mundet të ketë kjo ende sukses?

Hashim Thaçi: Nuk ka alternativë. Një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë po aq e suksesshme sa ishte marrëveshja ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. Në anën tjetër, Status Quo-ja, në realitet do të thotë regres të vazhdueshëm, sepse ajo destabilizon rajonin.

A keni mbështetje të mjaftueshme brenda vendit për të bërë kompromise me serbët?

Hashim Thaçi: Më shumë se 70 për qind e kosovarëve mbështesin dialogun me Serbinë.

A mund të jenë ndryshimet e kufijve pjesë e kësaj marrëveshjeje?

Hashim Thaçi: Ne synojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila përfundimisht do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, deri tani asgjë nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk ka harta. Kjo temë është bërë e madhe dhe ekzagjeruar nga mediet.

Por, jo vetëm mediet po flasin për të. Një mbështetje e tillë së fundmi ekziston edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni…

Hashim Thaçi: Unë kam folur drejtpërdrejt me presidentin Trump. Mesazhi i tij për të dyja palët është i qartë: përfitoni nga momentumi, lëvizni përpara dhe mos lejoni që tragjeditë e së kaluarës të përsëriten.

A i keni vendosur shpresat krejtësisht tek SHBA-ja?

Hashim Thaçi: Nga e kaluara ne e dimë se BE-ja asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që t’i zgjidhë gjërat vetëm.

A vlen kjo edhe sot?

Hashim Thaçi: Për të qenë i sinqertë, sot edhe më pak.

A nuk janë korrigjimet e kufijve në Ballkan shumë të rrezikshme?

Hashim Thaçi: Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë çështje të hapura kufitare, nga Sllovenia dhe Kroacia deri në Maqedoninë Veriore. Vetëm vitin e kaluar, pas tre viteve dramë, e kaluam një mosmarrëveshje kufitare me Malin e Zi. Por, për çështje të tilla duhet të tregojmë kujdes të veçantë.

Sipas mendimit tuaj, si mund te duket një korrigjim i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Hashim Thaçi: Për ne është e qartë, Kosova gjithsesi do të mbetet një shtet shumetnik dhe nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike.

Cila është marrëdhënia juaj personale me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq? Qysh në luftë, 20 vjet më parë, të dy ju qëndruat në pozita të rëndësishme. Ai si Ministër i Informacionit i Sllobodan Millosheviqit, ju si udhëheqës i UÇK-së. Sot vazhdimisht takoheni dhe detyroheni të negocioni…

Hashim Thaçi: Është një marrëdhënie e vështirë, por është e nevojshme të kemi një kanal të hapur të komunikimit. Sepse është pikërisht ky dialog, i cili ka parandaluar shumë gjëra të shëmtuara që mund të kishin ndodhur mes dy vendeve tona. Por, nuk ndjej asnjë kënaqësi për ta bërë këtë. Të dy e dimë prej nga jemi. Por, kjo nuk është një pengesë për ne që të punojmë për paqe.

A flisni për atë që ndodhi 20 vjet më parë?

Hashim Thaçi: Ai ka humbur, unë kam fituar. Por, unë nuk dua të ngarkojë diskutimet me të kaluarën.

Süddeutsche Zeitung: Ende ka akuza kundër jush personalisht nga ditët e luftës. Një raport nga Këshilli i Evropës ju akuzon për përfshirje në vrasje dhe trafikim të organeve. Kohët e fundit, një gjykatë speciale ndërkombëtare ka filluar punën në Hagë për të hetuar krimet e luftës të kosovarëve. A keni frikë nga gjykata?

Hashim Thaçi: Këto pretendime monstruoze janë konstruktuar në Serbi. Por nëse thirrem, do të shkojë. Është e rëndësishme për ne që e vërteta del në dritë.

Sa është i rëndësishëm përpunimi i së kaluarës?

Hashim Thaçi: Kjo është e rëndësishme, por ne nuk mund të mbetemi peng i së kaluarës sonë. Jam i bindur se tani është momenti i duhur për paqe.

Pse tani?

Hashim Thaçi: Për herë të parë në Serbi ne kemi një bashkëbisedues, i cili është i gatshëm të ulet me ne dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, duke përfshirë njohjen e Kosovës. Dhe pas shumë vitesh të neglizhencës, tani përsëri ka një vëmendje të madhe për ne në BE dhe SHBA. Nëse e humbasim atë tani, rrezikojmë të humbim dekada.

Ka zëra se një marrëveshje mund të nënshkruhet në Uashington në qershor?

Hashim Thaçi: Janë përsëri spekulime mediatike, nuk ka asgjë të vërtetë. Por, unë dua të bëj gjithçka për të siguruar që një marrëveshje e tillë të bekohet në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2019?

Hashim Thaçi: Pse jo.

Vizioni juaj për Kosovën në 20 vjetët e ardhshme?

Hashim Thaçi: Anëtar i NATO-s dhe BE-së. Një rajon i tërë që jeton sipas standardeve evropiane. Me kufij të hapur. Gjërat për të cilat sot po debatojmë, do të duken qesharake.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles