24.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Konflikti në biznes dhe mënyrat për parandalimin e tij (Pjesa e dytë)

Dr. Sc. Refik Havolli

Arbër Havolli – Student i masterit

 

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në biznes

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në një biznes mund të ndodhë kur ndërmjet tyre mungojnë besimi, korrektësia, kur ekzistojnë keqkuptimet, keqpërdorimet nga ndonjëri prej tyre, mospërcaktimi i saktë i detyrave, i  mënyrës së vendimmarrjes apo përgjegjësive në biznes.

Aksionarët në shumë raste bëjnë përpjekje për të dominuar me rastin e marrjes së vendimeve me qëllim të realizimit të interesave të tyre personale, gjë që mund të shpjerë në konflikt.

Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve mund të lindë në rastet kur ka mospajtime me rastin e përzgjedhjes së stafit për kryerjen e detyrave të caktuara apo me rastin e përjashtimit nga puna të ndonjë personi që aksionari tjetër nuk pajtohet. Këtu mund të bëjë pjesë edhe “konflikti i interesit”, i cili mund të manifestohet në forma të ndryshme duke filluar nga përpjekja për ta “kapur” biznesin, dhënia e favoreve personave të afërt etj.

Në shumë raste aksionarët, për shkak se nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, vendosin të ndajnë biznesin apo kapitalin e krijuar gjatë viteve. Ky vendim sjell në shumicën e rasteve mosmarrëveshje dhe konflikte edhe më të theksuara.

Konflikti mund të paraqitet rreth asaj se cili do ta trashëgojë emrin, produktet apo shërbimet e biznesit, si do të bëhet ndarja e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme dhe të mirave të tjera material të krijuara deri në ato momente.

Konflikt mund të sjellë edhe mosmarrëveshja se si do bëhet ndarja e obligimeve-detyrimeve (llogaritë e pagueshme), të hyrave që pritet t’i inkasojë biznesi në të ardhmen (llogaritë e arkëtueshme), pra, të hyrat që janë krijuar nga biznesi deri në ato momente.

Nëse sjelljet e aksionarëve do të jenë racionale, mosmarrëveshjet apo keqkuptimet e rastit tejkalohen me më pak vështirësi dhe njëkohësisht parandalohet konflikti.

Statuti i biznesit është një rregullore e cila mund të ndihmojë në parandalimin e konfliktit, por edhe nëse ai ndodh, që t’i japë zgjidhje atij.

Konflikti ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve

Nëse udhëheqësi gabon në përcaktimi i vizionit, qëllimit, në zgjedhjen dhe seleksionimin e stafit me rastin e punësimit dhe në përcaktimin e saktë të detyrave të punës që në fillim, do ushqehet një vatër e konfliktit të mundshëm. Në ditët e sotme, si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve punëdhënës-punëmarrës, është rritur numri i çështjeve gjyqësore me pretendimin për shkelje të rregullave të biznesit apo për diskriminim. Gjithmonë do të ketë arsye që biznesi apo organizata të ndërmarrë masa formale disiplinore ndaj të punësuarve për shkeljet që ata do bëjnë në vendin e punës. Interesat e punëmarrësit dhe të punëdhënësit në shumë raste janë përbashkëta e në disa raste, kur kemi të bëjmë me shpërndarjen pagës dhe të fitimit, janë të kundërta

Konflikti ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit mund të ndodhë në shumë raste. Konfliktet zakonisht ndodhin edhe për shkak të mospërcaktimit me kohë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme të përpilimit të kontratës së punës. Në shumë raste mënyra e realizimit të objektivave të biznesit nuk përputhet me mentalitetin e personave që duhet ta realizojnë ato objektiva.

Rastet më të zakonshme të konflikteve apo mosmarrëveshjeve të kësaj natyre janë ato kur:

– Punëdhënësi nuk arrin ta bëjë pagesën e pagës në shumën e përcaktuar me kontratë, të pagesës së kontributeve, sigurimeve shëndetësore, pagesës së bonuseve apo formave të tjera të shpërblimit.

Rezultatet e pyetësorit tregojnë që  mesatararisht 37 për qind e fuqisë totale punëtore të punësuar nuk është ligjërisht e deklaruar.[1]

-Për shkak të informalitetit që punëdhënësi vepron me punëmarrësin ku e angazhon në detyrat e caktuara pa bërë kontratë pune dhe kështu bënë evazion fiskal dhe njëkohësisht edhe shkeljen e të drejtave të punëmarrësit.

-Në rastet kur punëdhënësi keqpërdor pozitën apo hierarkinë dhe bën ngacmime, frikësime apo kërcënime në ambientet e punës, të cilat ndikojnë në probleme të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi.

-Në rastet kur u caktohet ndonjë pozitë më e ulët e punës sesa ajo ekzistuese.

-Në rastet kur i shqiptohet ndonjë ndëshkim disiplinor apo ndalesë financiare nga ana e punëdhënësit ndaj punëmarrësit për shkak të ndonjë vjedhjeje për përfitim personal, keqpërdorim, moszbatim i vendimeve, mos raportim, shkeljeve disiplinore, apo shkelje të natyrave të tjera që punonjësi ka bërë.

– Në rastet kur nuk u jepet mundësi e barabartë punëmarrësve për të shfaqur aftësitë dhe ambiciet e tyre. Pra, bëhet shkelje, diskriminim e konceptit të shanseve të barabarta të punësimit, u pamundësohen shanset për rritje personale dhe zhvillim.

-Në rastet kur kërkohet të bëhen veprime “joligjore” për të arritur një qëllim për interes të punëdhënësit apo ato veprime shkelin rregullat e mbrojtjes në punë.

-Në rastet kur vendimmarrësit në biznes kanë ide të reja, kërkojnë ndryshime për  arritjen e qëllimeve të biznesit, por disa nga punëmarrësit u rezistojnë ndryshimeve sepse u frikësohen atyre.

Në kontratën e punës duhet të përcaktohen saktësisht dhe në mënyrë specifike detyrat dhe obligimet e ndërsjella të palëve. Secili biznes për të arritur objektivat e veta do të duhej përcaktonte kriteret dhe mënyrën se si të arrihen ato dhe gjithashtu të bënte vlerësimin e performancës për stafin e vet. Me të gjitha rregullat duhet të jenë të familjarizuar stafi i biznesit apo i organizatës, që ato të jenë të matshme dhe të arritshme.

 

Konflikti ndërmjet punëmarrësve brenda një biznesi apo organizate

Konflikti ndërmjet punëmarrësve në biznes zakonisht ndodh në rastet kur nuk u janë definuar detyrat e punëve në mënyrë specifike për secilin nga punëmarrësit, në rastet kur ka performancë të dobët, shmangie nga kryerja e detyrave dhe lënia e tyre kolegut-es për t’i kryer.

Mungesa e komunikimit cilësor, mungesa e tolerancës, paraqitja e dallimeve në personalitet ndërmjet stafit në biznes, dallime të tjera, mungesa e etikës, shkakton gjithashtu konfliktin.

Komunikimi jo i duhur, stereotipat, paragjykimet dhe niveli i ulët i edukimit gjithashtu mund të jenë shkaktarë të konflikteve ndërmjet punonjësve në biznes apo organizatë.

Konfliktet mund të ndodhin ndërmjet individëve të caktuar dhe në këto raste është më i lehtë menaxhimi dhe arritja e një pajtimi midis atyre individëve. Në këto raste kolegët e punës mund të japin kontributin e tyre dhe konflikti të mos eskalojë.

Konflikti mund të ndodhë edhe ndërmjet grupeve të ndryshme në një biznes apo organizatë. Në këto raste menaxhimi dhe arritja e pajtimit është më e vështirë dhe si i tillë konflikti mund të lërë pasoja për pjesëmarrësit në atë konflikt, por edhe për biznesin apo organizatën në përgjithësi.

Konfliktet të cilat ndodhin në mes të punëmarrësve brenda një biznesi apo organizate në të shumën e rasteve për zgjidhjen e tyre merren menaxherët të cilët janë përgjegjës për ta.

Nëse punëmarrësit arrijnë objektivat e deleguara nga biznesi, por kanë personalitete që nuk përshtaten në mes vete, atëherë si zgjidhje mund të jetë edhe ndërrimi i vendit të punës brenda biznesit. Është njësoj sikurse flaka e baroti të jenë afër dhe të mos llogarisim në një shpërthim.

Trajtimi i konflikteve që lindin në vendin e punës dhe zgjidhja në mënyrën më adekuate është një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen menaxherët dhe punonjësit e biznesit.

Diversiteti i forcës punëtore ka një sërë avantazhesh të dukshme. Është e qartë se shumëllojshmëria e lartë mund të sjell vizione shumë të dobishme për shitjen e mallrave në një bazë të larmishme klientësh.[2]

Ambientet e punës është më mirë të krijohen në atë mënyrë që të kenë pamje të dukshme, transparente e nëse kërkohet të vendosen edhe kamerat e sigurisë. Menaxherët si ndërmjetësues në konflikt duhet të mos mbajnë anë, të jenë  neutralë dhe parimorë.

 

Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve

Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve te bizneset e mesme dhe të mëdha zakonisht ndodh për shkak të mospërcaktimit adekuat, të shkruar të detyrave dhe të përgjegjësive në punë apo mundësisë apo mangësisë së ligjeve dhe të procedurave të cilat rregullojnë proceset, marrëdhëniet ndërpersonale apo marrëdhëniet me klientët. Si nxitës të konfliktit mund të jenë: produktiviteti i ulët, mungesa në punë, motivimi i ulët, organizimi i grevave si formë e shprehjes së pakënaqësive, komunikim i dobët, mungesë e tolerancës, energji negative etj.

Në disa raste konflikti apo mosmarrëveshja mund të ndodhë për shkak të mënyrës së kalkulimit të pagës, vlerësimit të performancës,  apo kompensimit për punën që ata bëjnë.

Në disa raste konflikti ndodh për shkak të keqpërdorimit të pozitës nga menaxherët, ku kemi shkeljen e të drejtave të punonjësve duke mos respektuar ligjin e shanseve të barabarta në mënyrë që punonjësit të trajtohen në mënyrë të barabartë në vendin e punës.

Në disa raste menaxherët, për të realizuar objektivat e biznesit, mund të kërkojnë nga punonjësit që janë nën menaxhim, të përdorin veprime apo sjellje joetike. Burim konflikti mund të jetë marrja e lejes kur punonjësi ka familjarë të sëmurë, kur punonjësi shkel kodin i veshjes, bën ngacmime apo kërcënime në raport me kolegët në vendin e punës, abuzon duke shkaktuar shpenzime të panevojshme financiare, si: materiale të ndryshme, telefon, derivate etj. në dëm të biznesit. Përcaktimi i saktë i pasojave nëse bëhen shkeljet e caktuara ndihmon në parandalimin e shkeljeve dhe të  konflikteve. Menaxheri duhet ta trajtojë punonjësin me respekt, të dëgjojë opinionin e tij e pastaj të i shprehë këndvështrimin e tij, për nevojat, ndjenjat dhe qëllimin.

Për të parandaluar konfliktet apo menaxhuar ato, menaxherët së pari duhet të kenë njohuri dhe përgatitjen e duhur profesionale në fushën e menaxhimit të biznesit, udhëheqjes (lidershipit), të menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, negocimit, delegimit, motivimit etj. Ata duhet të marrin parasysh ndikimin e ndryshimeve bashkëkohore globale dha t’u përshtaten atyre ndryshimeve.

Në shumë biznese bëhet edhe vlerësimi i performancës në cikël të plotë ose 360 gradë ku punonjësit mund të japin vlerësimin e tyre për menaxherët apo supervizorët e tyre.

 

Konflikti ndërmjet ndërmarrjeve apo kompanive konkurrente

Konflikti ndërmjet kompanive konkurrente në biznes zakonisht ndodhin në rastet kur konkurrenca është jolojale dhe ka keqkuptime midis bizneseve. Në disa raste  ndodh që bizneset të garojnë ndërmjet tyre duke zbritur çmimet e produkteve vetëm e vetëm për ta eliminuar nga tregu palën konkurrente.

Në disa raste palët shpërndajnë informata që dëmtojnë palën tjetër konkurrente.

Në rastet kur kemi mosmarrëveshje apo konflikte ndërmjet bizneseve, atëherë janë ndërmjetësuesit, gjykatat, odat ekonomike, përmbaruesit privat ata që mundohen t’i zgjidhin ato.

Bizneset mund të kenë mosmarrëveshje ndërmjet tyre, të konsiderojnë palën tjetër si konkurrente por në anën tjetër ekzistojnë shumë mundësi për bashkëpunim dhe përfitime të ndërsjella. Ato mund të grupohen gjithashtu në shoqata dhe oda ekonomike për t’i realizuar qëllimet e tyre.

Konflikti ndërmjet bizneseve dhe medieve

Në shumë raste bizneset janë temë e medieve, qofshin ato elektronike apo të shkruara (televizione, radio, portale elektronike, medie sociale, gazeta etj.) . Në disa raste mediumi i caktuar bën lëvdata apo promovimin e produkteve apo të shërbimeve të biznesit të caktuar. Në shumë raste gjërat pozitive për biznesin bëhen duke i sponsorizuar ato shkrime për  biznesin. Në shumë raste mediet, për të krijuar lajm, për të realizuar klikime, bëjnë publikimin e ndonjë lajmi të vërtetë apo të fabrikuar i cili mund ta dëmtojë biznesin. Në disa raste disa nga mediet me shkrimet e tyre në një formë i mbajnë të shantazhuara bizneset vetëm e vetëm për të përfituar financiarisht nga to, duke ua reklamuar atyre produktet apo shërbimet.

Disa nga mediet mund të kenë anime politike, informatat të mos jenë të balancuara dhe kështu mund t’i atakojnë pa të drejtë bizneset që nuk kanë ngjyrim politik të njëjtë me ta.

Sponzorizimi i marketingut në një medie të caktuar konsiderohet armiqësore nga media konkurrente. Të gjitha këto forma janë burim i konfliktit ndërmjet biznesit dhe medies. Forma më e mirë është që të mbahen raporte të mira me mediet duke mos u përcaktuar vetëm për njërën nga to.

Nëse është një shumë e përcaktuar buxheti për marketing ajo do ishte mirë të shpërndahej nëpër disa medie.

Konflikti biznes-organet-institucionet shtetërore

Për të monitoruar mbarëvajtjen e aktivitetit të bizneseve që ato të mos bëjnë evazion fiskal, si dhe për të monitoruar cilësinë e produkteve apo të shërbimeve përkujdesen disa institucione shtetëror, si: Dogana, Administrata Tatimore, inspektorët sanitarë, veterinarë, të punës, të tregtisë, inspektorët për krime ekonomike etj. Në disa raste bizneset bëjnë shkelje e në disa raste personat e papërgjegjshëm nga këto institucione keqpërdorin pozitën zyrtare me qëllim të përfitimit personal.

Në shumë raste edhe procedurat përzgjedhëse të prokurimit të financuar nga buxheti i shtetit janë burim i shfaqjes së pakënaqësive dhe konflikt.

Në këto raste është i mundur lindja e konfliktit e cila mund të menaxhohet vetëm duke u bazuar në ligjet dhe parimet e drejta që shteti ka miratuar.

[1]http://riinvestinstitute.org/uploads/files/2016/October/17/BUSINESS_INFORMALITY_5mm_bleed_no_inside_ALB_FINAL_v613964385731476692858.pdf

[2] Gaspar, Bierman, Kolari, Hise Smith, Arreola-Risa “Hyrje në Biznes”, UET Press, Tiranë. 2000, faqe 289.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles