10.2 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Opozita, pa strategji për ta ndalur ekipin për dialogun

Gjatë mandatit të kaluar qeverisës opozita kundërshtimin për dialogun me Serbinë e shprehte në forma të ndryshme e në disa raste edhe i sulmonte me vezë negociatorët e Kosovës. Por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë gjatë këtij mandati. Madje dy partitë më mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që janë kundërshtuese të madha të negociatorëve aktualë të Kosovës në dialogun me Serbinë, nuk kanë ndonjë plan se si ta ndalin fazën finale.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës zgjidhja e vetme për ta ndalur ekipin negociator janë zgjedhjet, duke pritur kështu vetërrëzimin e Qeverisë.

Naser Rugova, deputet i kësaj partie, ka thënë për gazetën “Zëri” se LDK-ja konsideron që duhet të organizohen zgjedhje parlamentare dhe të vijë një qeveri e cila ka bazë edhe qytetare, edhe elektorale, por edhe legjitimitet kushtetues e politik për të marrë përgjegjësi për dialogun me Serbinë. “Duke parë që presidenti ka një qëndrim të vetin dhe Qeveria një qëndrim të vetin, pastaj ky ekipi negociator po tenton ta ndërtojë një qëndrim të vetin e së fundmi edhe kryeparlamentari si lider i partisë më të madhe të koalicionit ka qëndrime të cakorduara, atëherë definitivisht e tërë kjo temë sensitive duhet të peshohet në vullnetitn politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Rugova.

Ai ka thënë se aktualisht protestat nuk janë opsion për LDK-në. “Ne si LDK kemi logjikë institucionaliste dhe kemi sakrifikuar shumë si parti që të ndërtojmë institucione kredibile shtetërore. LDK-ja kur e fton popullin për protesta nuk kthehet më në institucione dhe tani për tani nuk besojmë që rruga do të ishte zgjidhje në këtë kohë. Personalisht si deputet jam që politika të bëhet në instutcione dhe nuk kisha dashur ta shoh që në vitin 2019 institucionet e vendit tim të bëjnë politikë jashtë institucioneve dhe rruga ta dirigjojë vendimarrjen politike”, u shpreh Rugova.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismail Kurteshi, duke mos e pohuar, por as mohuar mundësinë e protestave dhe as duke mos dhënë një plan konkret se si do ta ndalnin ekipin negociator, u shpreh edhe një herë se partia e tij qëndron kategorikisht kundër këtij ekipi. Ai shtoi se ekipi aktual po i pranon bisedimet sipas tij “ilegale” që i ka zhvilluar presidenti Thaçi me Vuçiqin. “Është parë që subjeketet politike që e kanë formuar këtë ekip nuk e kanë pasur sinqerisht kur janë deklaruar se janë kundër bisedimeve për korrigjime territoresh dhe që janë kundër secilit që i bën këto bisedime, pasi ato tanimë i janë bërë ‘bisht’ presidentit. Por tani e kemi dëgjuar edhe kryekuvendarin i cili thotë se presidenti ka të drejtat e veta kushtetuese, që do të thotë se në njëfarë mënyre ata i pranojnë ato që presidenti Thaçi në mënyrë krejtë ilegale i ka zhvilluar me Vuçiqin në bisedime”, potencoi Kurteshi.

Sipas tij, ekipi aktual është vetëm një hije e presidentit Thaçi, i cili siç ka thënë Kurteshi tashmë i ka filluar negociatat pa miratim të Kuvendit e pa platformë. “Ekipi është vetëm hije e presidentit, sepse edhe ashtu ai i ka filluar negociatat pa miratimin e Kuvendit, pa prezantuar asnjëlloj platforme dhe as temat e bisedimit që po i bën në Bruksel me Vuçiqin, që do të thotë se për ne bisedimet e presidentit janë ilegale, kurse kjo që ka ndodhur me këtë ekip jo vetëm sa do të bëjë përpjekje ta legjitimojë atë që në mënyrë ilegale po e bën presidenti”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu në një prononcim për “Zërin” e ka cilësuar si të pakoordinuar opozitën karshi ekipit negociator, të cilin po e kundërshtojnë gjatë gjithë kohës. Sipas tij, opozita po hiqet si një opozitë e bashkuar, por në të vërtëtë sipas tij nuk ka harmonizim mes tyre. “Nuk ka koordinim të opozitës, ata po përpiqen të paraqiten si një zë i përbashkët, por edhe këta janë totalisht të pakoordinuar dhe me koncepte të paharmonizuara dhe ne kemi një situtatë fatkeqe të shkapërderdhjes totale si të pozitës, ashtu edhe të opozitës dhe në fakt këto institucione dhe kjo klasë politike po dëshmohet me vite të tëra e paaftë për të përfaqësuar në mënyrë të denjë interesat e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Baraliu.

Sipas Baraliut, përveç opozitës mospërputhje të mëdha ka edhe brenda pozitës dhe ekipit negociator. Ai u shpreh se ky ekip në përbërjen e tij e ka me patjetër të përfshijë edhe dy partitë më të mëdha opozitare.

“Është evidente që ky ekip përbrenda strukturave të tij ka shumë mospërputhje idesh, konceptesh edhe vizionesh për çështje të cilat duhet të bisedohen në fazën përfundimtare të dialogut. Ky ekip në fakt nuk paraqet konsensusin dhe nuk paraqet për më tepër as pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar në Kosovë dhe ky është një defekt që do të duhej ta kishte parasysh ky ekip negociator dhe me çdo kusht të insistojë që t’i marrë në ekip edhe dy partitë opozitare, LDK-në dhe LVV-në”, ka thënë ai.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles