10.3 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit pritet të udhëtojnë me viza

Liberalizimi i vizave ishte një premtim për vite të tëra nga liderët e shtetit të Kosovës, por kjo vazhdon të mbetet vetëm ëndërr e qytetarëve tanë se një ditë do të mund të udhëtojnë lirshëm pa viza nëpër vende të Evropës.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shëngen, pavarësisht përmbushjes së 95 kritereve të kërkuara nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe demarkacionin me Malin e Zi.Në vitin 2010, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi u kishte premtuar qytetarëve se gjatë 15 muajve të qeverisjes, ata do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, edhe pas tetë vitesh kosovarët vazhdojnë të jetojnë të izoluar.Premtimet e Thaçit nuk kanë mbaruar me kaq. Ai edhe në vitin 2013 qytetarëve u kishte premtuar se do të lëvizin të lirë.

Premtime se do të mund të udhëtojnë lirshëm pa pasur nevojë që me muaj të presin para ambasadave kosovarët kanë marrë edhe gjatë vitit që e lamë pas.

Kryeministri Ramush Haradinaj qysh në fillim të vitit kishte dhënë një premtim të tillë, që fundi i vitit 2018 do të ishte koha kur Kosova do të fitonte liberalizimin.Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli fundin e vitit 2018 e kishte dhënë si kohën e fundit kur Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave. Për më tepër Veseli ka bërë edhe një turne nëpër shtete të ndryshme në emër të lobimit për liberalizim të vizave.

Fundi i vitit 2018 ishte dhënë si datë e liberalizmit të vizave edhe nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Por, shpresat e kosovarëve se mund të lëvizin lirshëm, pikërisht në muajin kur u ishte premtuar se do të ndodhë liberalizimi, i ka shuar komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili si datë kur potencialisht mund të hiqen vizat e ka dhënë vitin 2020.

Pas këtij konfirmimi se kosovarët do të vazhdojnë të jetojnë të izoluar, diçka është e sigurt, edhe ky vit që sapo kemi hyrë do të jetë i stërmbushur me premtime se do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Megjithëse, Kosova ka arritur të marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ku më pastaj Parlamenti Evropian kishte aprovuar rekomandimin për vizat. Mirëpo, çështja e vizave nuk ka arritur të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Për mos liberalizmin e vizave sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti, fajtor janë institucionet kosovare që kanë treguar pakujdesi për ta përcjellë nga afër gjithë procesin e liberalizimit të vizave.Madje ai thotë se në vend që të bëhej kjo, në vetëm një vit janë ndërruar tre ministra të Punëve të Brendshme.E për këtë Hoti thotë se minimumi i përgjegjësisë do të ishte dorëheqja e akterëve të institucioneve që janë të përfshirë në çështjen e liberalizimit të vizave.

Duke mos dashur të përmend emra, Hoti thotë se është koha e fundit që në institucionet e Kosovës të instalohet përgjegjësia.Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga Organizata Çohu, thotë se një pjesë të fajit për mos liberalizim të vizave e kanë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, që sipas tij kanë njëfarë lloj mos pajtimi ndërmjet vete sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Demhasaj thotë se një arsye që vendit nuk i janë hequr vizat mund të jetë dialogu Kosovë-Serbi, që sipas tij mund të jetë një mekanizëm presioni që mund ta përdorë BE karshi Kosovës që të arrihet një marrëveshje finale mes dy vendeve.Mirëpo, ai thotë se pa faj nuk janë as institucionet e Kosovës.

Ai thotë se në vazhdimësi BE është treguar e padrejtë karshi Kosovës, e që sipas tij edhe vendosja prej 95 kushte për liberalizim të vizave e tregon këtë.

Të zhgënjyerit nga mos liberalizimi i vizave janë pa dyshim qytetarët e Kosovës, të cilët në rast të udhëtimit jashtë vendit duhet të pajisen me viza, e kur përmendet aplikimi për vizë dihet se duhet ‘një mal’ me dokumente e pritje të gjata para ambasadave të huaja.

Për këtë në jo pak raste qytetarët kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, madje kanë kërkuar edhe dorëheqje të akterëve kryesorë të institucioneve të vendit.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles