13.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Kjo është përqindja e grave që trashëgojnë pronën në Kosovë

Në Kosovë vetëm katër (4 ) për qind e grave deri më tani kanë gëzuar të drejtën të trashëgojnë pronën. Ndërsa, 17 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të tyre, ku përfshihen si pronare të tokave ose banesave, ose të ndonjë kapitali.

Organizata Joqeveritare për të drejtat e grave thotë se ende nuk është arritur një vetëdijesim qoftë i burrave apo edhe vet grave në këtë aspekt. Duke shtuar se institucionet shtetërore duhet të punojnë më shumë që ligji për trashëgiminë të jetë i zbatueshëm.

Ani pse ligjet e Kosovës garantojnë të drejtën që gratë të trashëgojnë pronën që u takon, shumë prej tyre ende hezitojnë për arsye “morale”.

Janë vetëm katër për qind e grave në Kosovë, të cilave  u është ndarë prona që u takon. Ndërsa, vetëm 17 për qind e pronave në Kosovë janë regjistruar në emër të grave.

Qendra  Kosovare për Barazi gjinore funksionon që nga viti 2004. Që nga ajo kohë, kjo qendër ka punuar në avokimin e grave, e po ashtu në lidhje edhe me trashëgiminë.

Por, sipas drejtoreshës së kësaj qendre Luljeta Demollit, ende një gjë e tillë vazhdon të jetë sfidë në Kosovë.

“Por, vitet e fundit, pasi edhe është bërë edhe udhëzimi administrativ nga Qeveria e Kosovës, për të regjistruar pronën e përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, kanë ndryshu pak statistikat dhe nga ai tetshi i famshëm që ka qenë për vite me radhë, tash kemi një regjistrim më të madh se gratë kanë një pronë më të madhe që është diku 17 për qind e grave janë pronare të tokave ose banesave, ose të ndonjë kapitali. Por krahasur me vendet e regjionit ose me vendet e tjera në botë, ky numër është mjaft i ultë dhe duhet punuar shumë”, thotë kryetarja e Qendrës për barazi gjinor, Luljeta Demolli.

Sipas saj, institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin përsipër që të vetëdijesojnë qytetarët e Kosovës, që ndarja e pronës duhet të jetë ashtu siç e parasheh edhe ligji, në mënyrë të barabartë.

Demolli mes tjerash thotë që me këtë mentalitet djemtë e ri po bëhen më pasiv, duke shpresuar gjithmonë se pasuria është e gatshme dhe se prindërit duhet të punojnë gjithmonë për bijtë e tyre. Megjithatë, ajo ka shtuar se ende edhe gratë, përfshirjen e tyre në trashëgimi, e shohin si diçka të pamoralshme.

“Kjo shoqëri është patriarkale, nuk do të thotë që edhe gratë nuk janë partiarkale në veprimet e tyre. Shpesh thuhet në popull që gratë janë më të zëshme që pasuria duhet të jetë në emër të djemve të tyre, për arsye të ndryshme, por nuk është provu kurrë ndryshe. Gratë janë më të pazëshme në shtëpi edhe për një milion arsye tjera, siç është dhuna, siç është se çka vendosin, çka duhet të blejnë, ende vendimet e mëdha për shtëpinë se ku të jetojnë, të jetojnë në bashkësi apo të jetojnë vetëm, ju takojnë kryesisht burrave. Dhe nuk është që gratë marrin pjesë në ato vendime të mëdha”, tha Demolli.

Mos përfshirja e grave në trashëgimi, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, po konsiderohet si shkelje e të drejtave.

Mirëpo, kryetari Behxhet Shala për Kp thotë se sa do që kjo çështje ka ecur me hapa të ngadalshëm, ka shënuar progres kohëve të fundit.

“Tash e kemi një situatë shumë të mirë se që e kemi pas përpara. Përpara të gjithë e dimë se gratë në një mënyrë as që është imagjinuar që gruaja ka të drejtë të trashëgojë pronën e prindërve apo pronën familjare, sepse ajo është llogarit që martohet në një tjetër shtëpi, shkon tjetër kund edhe pse me marrë tokën ose pronën e vëllaut ose të babës me qu tjetër kund. Mendoj që këtu nuk duhet të ketë as një diskriminim, duhet të kenë të drejtë të gjithë dhe çështja është te vullneti i femrës se çfarë donë të bëjë me atë pronë do t’ia fal dikujt apo do t’a shes është thjeshtë drejtë e saj të vendos”, tha Shala.

Se gratë duhet të trashëgojnë pronën e prindërve të tyre, po pajtohen edhe vet qytetarët, ani pse pohojnë që kjo gjë ka qenë e mohuar për to, për shumë vjet.

“Po duhet me pas barabartë të drejta  edhe djemtë edhe gratë edhe cikat, se të njëjta jon, nuk ka dallim aty… Tradita jon u kon, gjithë jon kon të barabarta nuk i kanë dallu edhe pse jon shku atje, nuk i kanë dhon hise aty femrave në prani, po gjithë i kanë ndihmu edhe pse u shku te burri, e kanë pas mbështetës familjen”, tha Syla.

Ndërsa, Beqir Ajazi konsideron se është gabim i madh të injorohet femra nga e drejta e trashëgimisë.

“Unë mendoj që është e natyrshme domosdo, pasi që edhe ligjet tash më ekzistojnë në këtë drejtim dhe ligji mbi trashëgiminë se të trajtohen si femrat ashtu edhe meshkujt. Se edhe femra ka të drejtën e trashëgimisë, prandaj është gabim i madh kur injorohet femra në cështjen e trashëgimisë. Dhe kjo shpresoj që ka fillu me u ndryshu, por ndryshimi duhet të jetë edhe më radikal ”, tha Ajazi.

Skender Maliqi thotë se trashëgimia në pronë, për gratë ka qenë e pamundur në të kaluarën.

“Është e drejtë edhe e tyne edhe e tyne për me pas pjesën e vet secili… Përpara nuk kanë dit edhe me pas dit kanë qenë ashtu të izolum me dit qishtu hollësisht, tash demokracia e ka bo këtë”, tha Maliqi.

Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar si të barabartë rolin e grave në shoqëri dhe e ka parandaluar diskriminimin duke e sanksionuar këtë me nene të veçanta.

Në ligjin për trashëgiminë e Kosovës, në nenin 3 pika 1 thuhet se “ Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles