16.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Nënkryetari i PDK’së ia kujton Thaçit se për kufijtë, referendumi nuk e zëvendëson Kushtetutën

Kosova mund të shpallë referendum për çështje të caktuara, por nëse pyetja e referendumit bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, atëherë duhet të fillojë procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike kushtetuese.

Për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet votimi i dyfishtë, përkatësisht duhen dy të tretat e votave të shumicës së deputetëve dhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.

Çështja e referendumit ishte aktualizuar në Kosovë në dy raste. Fillimisht, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese për shkak të qëndrimeve kundër të deputetëve nga komuniteti serb, ishte përmendur mundësia e formimit të Ushtrisë së Kosovës përmes referendumit. Kurse së fundmi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngritur çështjen e referendumit që ka të bëjë me ndryshimin e kufirit apo siç e quan ai ‘korrigjimin e kufijve’.

Thaçi ka thënë se referendumi mund të përdoret për t’i pyetur qytetarët e Kosovës nëse ata janë për korrigjimin e kufirit, që do të bashkonte komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me Kosovën.

Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesori Arsim Bajrami, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për REL-in thotë se për secilin proces që del jashtë Kushtetutës së Kosovës, duhet që krahas referendumit, të ketë një proces të rishikimit apo ndryshimit të Kushtetutës.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton se sovraniteti në Republikën e Kosovës realizohet në dy mënyra, përmes përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, pra Parlamentit, dhe nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit të popullit, pra referendumit”, thotë Bajrami. “Kjo do të thotë se referendumi si institucion ekziston dhe është kategori kushtetuese dhe nuk ka asnjë pengesë në Kushtetutë të Kosovës që për çështje të caktuar të deklarohet populli në referendum, por paraprakisht për t’u realizuar referendumi duhet të ketë një Ligj për referendumin që përcakton modalitetet e procesit të zbatimit të referendumit”.

Por, kur është çështja tek arritja eventuale e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe e cila mund të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sipas profesorit Bajrami, ajo patjetër duhet të përmbajë edhe aranzhimin e ndryshimit të Kushtetutës, i cili proces nuk shkon në referendum, por shkon drejtpërdrejt përmes Kuvendit.

“Çfarëdo ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës nuk mund të bëhet me proces të referendumit, por drejtpërdrejt në Kuvend me dy të tretat e votave të shumicës dhe dy të tretat e votave të pakicës”, thekson Bajrami. “Për cilindo proces që del jashtë Kushtetutës së Kosovës duhet krahas referendumit të ketë një proces të rishikimit apo ndryshimit të Kushtetutës. Pra, në këtë rast referendumi nuk e zëvendëson Kushtetutën e Kosovës”.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 1, pika 3, thuhet se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Për t’u realizuar një çështje me referendum, siç është propozimi konkret i presidentit Thaçi, do të duhej paraprakisht të ketë Ligj për referendumin. Deputetët e opozitës tash e një kohë kanë ndërmarrë nisma për miratimin e një ligji të tillë, por jo për çështjen që është duke e përmendur presidenti Thaçi. Analisti i çështjeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës Artan Murati thotë se ashtu siç aktualisht po funksionon Kuvendi do ta bënte shumë të vështirë miratimin e një Ligji për referendum në këtë moment.

Por, sipas tij, nëse bëhet referendumi do të duhet që të shtrohet një pyetje që qytetarët të mos i vendosin para një akti të kryer dhe e cila pyetje nuk do të ishte reale me marrëveshjen që eventualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse shkohet me një pyetje në referendum se a jeni për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, besoj që nuk do të ketë shqiptarë që do të votonte jo. Por, në praktikë kjo ide e shkëmbimit të territore apo korrigjimi i territoreve, asnjëherë nuk është specifikuar nga presidenti se çka nënkupton në parim. Kësisoj, pyetja si e tillë do të ishte e mangët sepse nuk do të paraqiste situatën reale e cila gjendet në terren”, thekson Murati.

Sipas tij, një përgjigje ndryshe do të pritej po të parashtrohej pyetja se a janë për shkëmbim të territoreve me Serbinë, përkatësisht të pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Ndërkohë, analisti i çështjeve politike, Naim Rashiti thotë se çështja e referendumit nuk ka të bëjë vetëm me çfarë marrëveshje me substancën apo modalitetin, por ka të bëjë se a do të bëhet marrëveshja apo jo mes Kosovës dhe Serbisë dhe a do të jetë marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përmbyllë konfliktin mes dy vendeve.

“Nëse Kosova dhe Serbia flasin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, theksi është te komponenti pozitiv dhe më pak te çfarë janë modalitetet e ndryshimit eventual të kufijve. Në rastin se Kosova dhe Serbia, pas një konflikti të gjatë, flasin për një përmbyllje të një marrëveshjeje me një referendum, e që pastaj siguron legjitimitet të saj, në veçanti atje ku kërkohen ndryshimet kushtetuese në Serbi, por edhe në Kosovë, e cila mund të kalohet me dy të tretat dhe mund të bëhet ndonjë ligj i veçantë, për shkak të kontekstit dhe çështjes që komplikon marrëveshja”, thotë Rashiti.

Ai thotë se Kosova dhe Bashkimi Evropian do të duhej të marrin një mësim ngareferendumi i mbajtur të dielën në Maqedoni për çështjen e emrit. Sipas tij, Maqedonia ka një ligji të gabueshëm për referendum, pasi që kërkon 50 për qind dalje të votuese, e që në praktikë nuk është i aplikueshëm në shumicën e vendeve perëndimore.

Mbledhja e njerëzve në referendum në Ballkanin Perëndimor, shton Rashiti, do të jetë do të jetë e vështirë.

Ai thotë se në Kosovë mund të ketë një situatë ku skena politik do të jetë e ndarë dhe e acaruar dhe në fund mund të ketë një referendum që pavarësisht modaliteteve dhe marrëveshjes mund edhe të dështojë.

“Mësimi që duhet nxjerr besoj që është të kërkohet një gjithëpërfshirje më e madhe, të ndërtohet një konsensus paraprak dhe një dialog sa më i njohur për publikun se çka po ndodh në këto negociata dhe ndoshta edhe mund të ketë faza të zbatimit që të bëhet sa më i pranueshëm”, thotë Rashiti.

Ndërkohë, në një përgjigje, Presidenca e Kosovës ka theksuar se “marrëveshja eventuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë do të marrë vullnetin e qytetarëve të Kosovës nëpërmjet referendumit, dhe pastaj do të ratifikohet nga Parlamenti i Kosovës me votën e dy të tretave të deputetëve”.

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles