24.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Shkelje në rastin 17 vjeçarit që humbi jetën në vendin e punës, Policia ende pa kallëzim penal

Kanë kaluar afro dy muaj qëkur 17 vjeçari Sëlldin Aliu nga fshati Lubizhdë e Prizrenit ka humbur jetën, tragjikisht, në vendin e tij të punës.

I mituri humbi jetën dy javë pasi që kishte filluar punën në fabrikën e stiroporit në fshatin Mushnikovë “Sat Styro” të komunës së Prizrenit.Aliu është viktima e gjashtë dhe e fundit deri më tani, nga rastet e punëtorëve që humbën jetën në endin e tyre të punës deri në gushtin e këtij viti. Por, Policia e Kosovës ende nuk e ka përpiluar asnjë kallëzim penal për rastin e vdekjes së tij.

Ani pse Inspektorati i Punës tashmë ka dorëzuar raportin zyrtar nga hetimet e bëra e në të cilin konstaton se ka pasur shkelje të Ligjit të Punës me rastin e punësimit të Aliut, si i mitur, në kompaninë e stiroporit.

Inspektorati i Punës, ka thënë se ka pasur shkelje në dispozitat ligjore nga subjekti punues, duke filluar nga marrëdhënia e punës edhe nga siguria e shëndeti në punë. “Sepse nga ana e punëdhënësit  gabimisht është vlerësuar vendi i punës, ku është angazhuar në punë dhe detyra të punës i aksidentuar i cili ka qenë nën moshën 18 vjeçe, duke pretenduar se të riun po e angazhojnë në punë të lehta.

Me këtë rast janë bërë shkelje të dispozitave të Ligjit të Punës dhe dispozitave të Ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në punë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës. Tutje thuhet se raporti IP-së, ka rekomanduar të përmirësohen kushtet e sigurisë në punë në subjektin punues, si dhe të evitohen shkeljet e dispozitave ligjore të evidentuara. Procedurat në lidhje me rastin ishin nisur nga Prokuroria Themelore në Prizren e cila deri më tani ka zhvilluar vetëm procedurat parapenale dhe ende nuk ka nxjerrë një aktvendim për hetim penal, apo të dyshuar.

Në një përgjigje përmes telefonit, koordinatori për media në këtë Prokurori, prokurori Petrit Kryeziu ka thënë se janë në pritje të kallëzimit penal të Policisë së Kosovës për të vazhduar tutje dhe për të filluar hetimet.

“Deri më tash rastin e kemi pasë në procedurë parapenale ku kemi qenë në pritje të raportit të autopsisë dhe raporteve të Inspektoratit të Punës. Këto të dy raporte kanë ardh dhe jemi në pritje të kallëzimit penal nga policia. Sapo ta sjellë kallëzimin penal policia, Prokuroria do të veprojë”, tha ai. Mirëpo prokurori Kryeziu tha se nuk mund të tregojë saktë se kur do të përfundojë kjo procedurë e të fillohet me hetime.  “Nuk mundem me thanë kur saktë por do të vendoset shumë shpejt lidhur me hapjen e hetimeve. Nuk mundemi me thanë pasi që jemi në fazë shumë të hershme, dhe pa i pasë raportet dhe kallëzimin në dorë ne nuk mundemi me fole e as me paragjyku asgjë deri në këtë moment”, tha Kryeziu.

Ai nuk ka dashur të flas tutje në lidhje me gjetjet e raportit të Inspektoratit duke thënë se është ende herët të flitet për procedurat e ardhshme dhe se po presin kallëzimin penal të Policisë në Prizren. Zyra për informim e PK-së në Prizren, ndërkaq, nuk ka dhënë asnjë përgjigje për KosovaPress, e pyetur se pse deri më tani nuk ka kallëzim penal në lidhje me rastin. Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Hazir Berisha, i ka sugjeruar KosovaPress-it që të publikojë artikullin pa përgjigjen e tyre dhe se pas publikimit ai  “do të dalë me version zyrtar”.

Ndryshe, 17 vjeçari Sëlldin Aliu ishte djali i vetëm në familjen Aliu dhe kishte filluar punën për ta ndihmuar familjen për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Ai e humbi jetën në javën e dytë të punës pasi makina për prerjen e stiroporit e tërhoqi atë brenda. Ligji i Punës lejon punën tek fëmijët prej 15 dhe 16 vjeç, mirëpo ata kanë drejtë të punojnë vetëm punë të lehta, jo në ambiente të mbyllura si dhe jo më tepër se 30 orë në javë. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat kishte kërkuar përgjegjësi ligjore për  vdekjen e Sëlldin Aliut.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles