17.3 C
New York
Tuesday, October 29, 2024

Buy now

spot_img

“Kemi probleme më të mëdha se ura”

Shoqëria civile në veri të Mitrovicës ka vlerësuar se në pjesën veriore ka probleme më të mëdha se çështja e urës, duke precizuar se rritja e nivelit të narkomanisë, tregtisë me narkotikë, bashkëpunimi në mes të grupeve kriminale të nëntokës serbe dhe shqiptare edhe i atyre që vijnë nga Serbia, rrezikojnë të rinjtë dhe sigurinë në pjesën veriore.

Shoqëria civile në veri të Mitrovicës ka vlerësuar se në pjesën veriore nuk është ura problemi më i madh.

Përfaqësues të saj mendojnë se ka probleme shumë më të mëdha, sidomos në aspektin e sigurisë, ndërsa përkrahin idenë e kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që ura të mos hapet derisa të krijohen kushte të sigurisë.

Ata potencojnë se problem më i madh në veri është tregtia me narkotikë dhe përdorimi i tyre, si dhe veprimet e grupeve kriminale shqiptare dhe serbe, të cilat, siç thotë shoqëria civile në veri të Mitrovicës janë pjesë e nëntokës, shqiptare dhe serbe dhe bashkëpunojnë ngushtë edhe me nëntokën në Serbi.

Drejtori i organizatës “Humani centar Mitrovica” Verolub Petroniq, ka përkujtuar se për përfaqësuesit e BE-së ura paraqet të arriturën më të madhe në Kosovë. Ai është pajtuar me kryetarin e Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që ura të mos hapet për qarkullim të automjeteve edhe për një kohë, sepse siç thotë ai, “në të kundërtën do të ketë incidente”.

“Si të hapet ura do të rriten tensionet dhe duhet të presim edhe incidente. Neve mund të në ndodhin incidente, të cilat policia mund t’i kontrollojë, por edhe të tilla të cilat nuk mund të kontrollohen, kështu që unë pajtohem me Rakiqin. Pompozitet është çuar për rreth kësaj ure. Nuk është ura problem më i madh në qytetin tone. Ne kemi probleme shumë të mëdha të sigurisë sesa ura”, tha ai, raporton “Zëri”.

Petroniq ka thënë se problem më i madh është narkomania dhe aktet kriminale.

“Niveli i narkomanisë, i tregtisë me narkotikë, niveli i rritjes së bashkëpunimit në mes të grupeve të nëntokës, serbe dhe shqiptare, madje edhe të Serbisë që vijnë këtu, këto janë gjëra që kërcënojnë të rinjtë dhe rrisin rrezikun e sigurisë në periudhë të gjatë”, ka vlerësuar ai.

Ndërkaq, Goran Rakiq, ka shfrytëzuar një rast që ka ndodhur në Suhadoll, kur është gjuajtur me gurë ambulanca, në të cilën kryejnë shërbimet qytetarët serbë, për të këmbëngulur që ura të mos hapet derisa të krijohen kushte të sigurisë.

Ai madje ka kërkuar nga komandanti i Staconit të Policisë në veri të Mitrovicës që t’i gjejë autorët.

Ai ka urdhëruar komandantin e Stacionit të Policisë në veri, Gjorgje Karamarkoviq që në afërsi të ambulancës në Suhadoll të vendoset një stacion patrullues policor.

“Si kryetar përpiqem që të mos përzihen në punët e institucioneve tjera, por seria e sulmeve ka kërkuar nga unë si kryetar që të reagojë. Jam i vetëdijshëm se nuk jemi në situatë që t’u ofrojmë mbrojtje qytetarëve tanë në jug të Ibrit, të cilët për çdo ditë u ekspozohen sulmeve, por ne nuk do të lejojmë që njerëz me koka të nxehta ta rrezikojnë sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se gjatë punëve në revitalizimin e urës, përveç se ka probleme teknike, nuk janë krijuar kushte të sigurisë për të hapur urën, e cila lidhë pjesën jugore me pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se ura do të hapet shumë shpejt, për shkak se siç ka thënë Bahtiri, gjendja e sigurisë është në nivelin më të lartë.

“Nuk mund të them se kur do të hapet ura, por kjo do të ndodhë shumë shpejt, BE-ja duhet ta caktojë datën kur do të hapet ura. Siguria aktualisht në Mitrovicë është në nivelin më të lartë, ajo nuk ka qenë asnjëherë më e mire dhe kjo nuk mund të jetë shkak që ura të mos hapet. Do të thotë gjendja e sigurisë në Mitrovicë është shumë më e mire se në komunat tjera dhe sigurisht se argumenti se nuk ka siguri dhe për këtë arsye nuk mund të hapet ura, nuk qëndron hiq. Urat janë për t’i bashkuar njerëzit, e jo t’i ndajnë”, ka thënë kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles