Kryetari i Prishtinës, njëherit dhe kryetari i sapo zgjedhur i PSD-së Shpend Ahmeti, thotë se partia që ai tashmë udhëheq, do të jetë një prej forcave kryesore politike në vend.
Megjithatë, në një konferencë për media ai tha se prioritet për të, mbetet qeverisja e komunës së Prishtinës.
Ndërsa thotë se nuk ka arsye që në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të ketë bllokadë dhe se parasheh vetëm diskutim të mirëfilltë, demokraci dhe kalim të propozimeve të mira. Ndërsa i pyetur për mundësi të riformatimit, në komunë, pas zhvillimeve të fundit ai tha se nuk do të ketë ndryshime dhe se është shumë i kënaqur me punën e drejtorëve, të cilët vijnë nga radhët e VV-së.
Ahmeti shprehet i hapur për bashkëpunim me ish kolegët e tij nga Vetëvendosje. Madje thotë se ata së bashku duhet ta luftojnë të keqen që po i ndodh vendit dhe jo që ta kthejnë luftën kundër njëri tjetrit.
Ahmeti ka komentuar dhe takimin që ndodhi një ditë më herët mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe kancelares Angela Merkel. Thotë se nëse ne duhet të ecin përpara, duhet të jenë më serioz në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.