Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një prononcim për Ekonomia Online, është shprehur i bindur se seanca për Demarkacionin do të mbahet këtë javë.
Ai tha se janë afër arritjes së konsensusit mes partive dhe kjo do të jetë javë vendimtare për përfundimin e çështjes së demarkacionit.
Madje, Hoxhaj thotë se edhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetin serb do të votojnë pro kësaj ujdie.
“Të gjithë partnerët që jemi në qeveri, partitë politike, që përfaqësojnë qytetarët në Kosovë dhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetet serbe dhe jo serbe do të votojnë pro kësaj marrëveshje. Jem afër një konsensusi të plotë politik me partnerët në Qeveri, por në të njëjtën kohë edhe me deputetë tjerë të cilët do të duhet ta votonin këtë marrëveshje”, tha ai.
Duke folur për thirrjen e mundshme të seancës, Hoxhaj tha se dita e saktë i takon kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit “meqenëqë është një seancë ku duhet një mbështetje e deputetëve mbi 80 vota dhe meqenëse duhet një koordinim se kush mund të jetë prej deputetëve në Prishtinë ose nuk mund të jetë”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ende s’kanë çfarë të thonë në lidhje me këtë dhe se në momentin që do të ketë diçka të re, do të informojnë.
“Gjatë ditës, çka të dimë do t’ju tregojmë”, tha ai
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se ende nuk ka asgjë konkrete dhe se konsultimet po vazhdojnë rreth sigurimit të numrave.
“Nuk ka asgjë njëherë konkrete, do të shohim në të ardhmen. Jemi në konsultime me të gjithë. Me të gjithë do të kemi konsultime”, tha ai.
Ndërkaq Blerta Deliu, deputete nga PDK tha se çështjes së demarkacionit po i vjen fundi. Ndërkaq tha se lidershipi i partive politike është në takime intensive për të siguruar që votimi të shkojë si duhet.
“Përfundimisht është lajm i mirë që çështjes së demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi po i vjen fundi. Ashtu siç jeni informuar dhe nga mediat, ka afërsisht rrumbullakim të kësaj çështje dhe ne presim që kryesia e Kuvendit të mblidhet dhe të zyrtarizojë datën kur do të mbahet seanca. Unë besoj shumë që në një të ardhme të afërt, ne do të vendosim kur do të mbahet kjo seancë dhe do të ketë dhe votim të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Lidershipi i partive politike, është në takime intensive me të gjithë akterët politikë, për të siguruar që votimi të shkojë si duhet. Dhe për të siguruar që kjo marrëveshje kur të arrijë në Kuvend, të marrë votën e nevojshme për tu miratuar. Ju i keni dëgjuar deklaratat e kryeministrit, por dhe zyrtarëve të tjerë të partive politike, që ka pasur lëvizje pozitive në këtë drejtim dhe ne presim përfundimisht të ketë përmbyllje të këtij procesi”, tha ajo.
E deputeti nga radhët e Nismës Bilall Sherifi tha se ata nuk janë informuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, se deri ku ka arritur çështja e bërjes së numrave.
“Z. Veseli është kryetar i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit. Asnjë informatë nuk na e ka dhënë as në cilësinë e kryetarit të PDK-së, nuk ia ka dhënë deputetëve të PDK-së, për aq sa unë jam i informuar, as në cilësinë e kryetarit të Kuvendit nuk na e ka dhënë deputetëve të Kuvendit, se deri ku ka arritur çështja e bërjes së numrave. Prandaj, unë nuk mund të komentoj diçka që fare s’kam informatë. Edhe pse kemi pritur, unë nuk mund të them se a do të ndodh edhe në këtë javë edhe pse presim që të ndodh. Nuk është i obliguar të na informojë për zhvillimet për bisedimet e tij, për takimet e tij, të cilat i bën. Mendoj që secila parti, secili grup parlamentar e ka drejtuesit e vet dhe sapo ata të kenë ndonjë informatë më të saktë, sigurisht, se do të na informojnë dhe ne deputetëve”, tha ai.
Me gjithë insistimin për të marrë një përgjigje dhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e partisë, e me të cilët po thuhet se po bisedohet për votimin e demarkacionit, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
As Shqipe Pantina, as Frashër Krasniqi, Donika Kadaj e Visar Ymeri nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë çështje. As deputetët e Listës Serbe nuk deshën të flasin.
Slavko Simiq, i cili gjendej në Kuvendin e Kosovës, nuk iu përgjigj pyetjes se a janë marrë vesh me koalicionin qeverisës dhe se a do ta votojnë demarkacionin.