Shtetet e Quint’it – SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë dhënë të enjten mbrëma “flakaresha” të rënda udhëheqësve të vendit – kryeministrit Ramush Haradinaj, presidentit Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Këto pesë shtete, nëpërmjet një deklarate, kanë bërë të ditur se janë thellësisht të shqetësuara me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara dhe ua kujtuan të njëjtëve se duke vepruar kështu, e rrezikojnë vendin dhe veprojnë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet e tyre.
Por edhe pavarësisht kësaj, nga Presidenca dhe Qeveria nuk tregojnë nëse janë tërhequr nga tentimi që të vazhdohet për shfuqizimin e Speciales, ndonëse bëjnë të ditur se do ta respektojnë cilindo vendim të deputetëve.
Edhe pse nga zyra e Presidentit qëndrojnë mbrapa asaj se me këtë Gjykatë është bërë padrejtësi historike ndaj Kosovës.
“Presidenti e ushtron detyrën e tij vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Deklaratat politike dhe interpretimet e ndryshme nuk ndikojnë në punën e tij. Lidhur me çështjen në fjalë, presidenti nuk do të bëjë asgjë më pak apo më shumë, por vetëm atë çfarë e obligon Kushtetuta. Kjo nënkupton që presidenti nuk pretendon të ushtrojë ndikim në punën e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, në rastin konkret, në punën e Kuvendit të Kosovës”, thonë nga Presidenca, duke i komentuar ultimatumet e fundit.
Megjithatë, ata sqarojnë se duhet pasur kujdes që duke tentuar në shfuqizimin e kësaj Gjykate, të mos krijohet një tjetër organ nën ombrellën e OKB’së.
“Presidenti gjithmonë ka thënë se Gjykata Speciale është një imponim i padrejtë nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën, mirëpo që duhet pranuar për të ruajtur bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë dhe për të evituar një Gjykatë Speciale tjetër nën ombrellën e OKB-së. Presidenti edhe sot mendon se Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj Kosovës”, thuhet nga zyra e Presidentit.
Mirëpo, kjo, sipas tyre, në asnjë formë nuk paragjykon apo nxitë iniciativa qytetare dhe të deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës por thonë se çfarëdo vendimi ligjor që nxirret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për këtë çështje, do të respektohet nga presidenti.
E nga zyra e Kryeministrit thonë për Express se i kuptojnë shqetësimet e vendeve të Quintit, që janë partnere serioze të Kosovës, në të gjitha proceset e kaluara, por se kjo situatë i takon Kuvendit të vendosë.
“Kjo çështje i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të zgjedhurve të popullit dhe Qeveria e Kosovës do të respektoj secilin vendim të Kuvendit”, kanë sqaruar shkurtimisht ata.
Më 22 dhjetor, kishin dështuar dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit që të merret vendim për seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të dilte në votim shfuqizimi i Gjykatës Speciale./Express