8.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Një vjet president, një vjet debat “rreth e rrotull” veprimeve të tij

Sot janë bërë një vjet prej kur Hashim Thaçi është inauguruar si President i Republikës së Kosovës.

I zgjedhur president në mes të një debati të madh politik, me tensione të larta dhe protesta të dhunshme opozitare, 8 prilli i vitit të kaluar kishte ndryshuar qasjen e opozitës, e cila asokohe sapo e kishte humbur një betejë të madhe politike në raport me Thaçin, shkruan Tribuna.

Deri në zgjedhjen e tij president, Thaçi ishte figura kryesore politike në vend.

I gjithë debati politik sillej rreth e rrotull veprimeve të tij. Por, ndonëse kundërshtohej politikisht, në mënyrë të heshtur të gjitha partitë politike opozitare i gëzoheshin zgjedhjes së tij president, përfshirë këtu edhe partnerin e tij të koalicionit, LDK-në.

I gëzoheshin, sepse Thaçin nuk do ta kishin më rival në zgjedhje elektorale.

Shumëkush ishte i bindur se fuqia politike e Thaçit si president do të zbehej, mirëpo kështu nuk ndodhi në realitet.

Të paktën jo deri më tani. Me taktikat e tij politike, Thaçi është rikonfiguruar sërish si lider i pakontestueshëm edhe në pozitën e tij jo politike. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa gjatë gjithë kësaj ishin të zhytur thellë në debatin politik të servuar nga agjenda e opozitës.

Kurse, Thaçi si president shumë shpejt ia doli të prodhoj tema edhe më të mëdha, të cilat prodhuan debat dhe gjithnjë ishin në fokus të analistëve dhe medieve.

Mbase për shkak të figurës së zbehtë të ish-presidentes Jahjaga apo edhe presidentëve të kaluar, të cilët aktivitetin e kishin kryesisht protokollar, Thaçi si mjeshtër i politikës ia ka dalë që me çdo iniciativë të tij të prodhojë debat. Por, kundërshtar ose jo, dominimi politik i Thaçit ndërlidhet ngushtë edhe me pasivitetin e Mustafës si kryeministër. Edhe pse iniciativat e tij ende nuk janë finalizuar, ato e dominuan debatin politik gjatë këtij viti.

Në ditët e para si president, Thaçi kishte iniciuar ndryshimin e Kodit Penal dhe rishikimin e drejtësisë penale. Ministria e Drejtësisë, bashkë me Zyrën e Presidentit dhe institucione të tjera menjëherë kishte krijuar Grupin Punues për ta bërë këtë gjë. Jo pak debat kishin prodhuar edhe vizitat e Thaçit te serbët e vrarë pasluftës si në komunën e Lipjanit, atë të Pejës, etj.

Rreth këtyre vizitave kishte shumë pro dhe kundër edhe nga vetë analistët, por Thaçi për asnjë moment nuk ndikohej dhe vazhdonte agjendën e tij politike. Pas këtyre vizitave, Thaçi publikisht i ishte drejtuar edhe Prokurorisë së Shtetit për t’i hetuar të gjitha vrasjet e para luftës dhe pas saj, të shqiptarëve dhe serbëve, përfshirë edhe vrasjet politike.

Natyrisht, edhe kjo nismë e tij ishte mjaft e debatueshme. Vetë Thaçi ishte shprehur i inkurajuar me qasjen e Prokurorisë së Shtetit ndaj këtyre kërkesave, edhe pse në publik ende nuk është folur asgjë për hetimet rreth tyre. Gjatë kësaj kohe, Thaçi ishte shumë kritik edhe ndaj BE-së për mosliberalizimin e vizave. Shumëkush është çuditur me gjuhën e tij të ashpër në adresë të BE-së. Por, duke mos pushuar asnjëherë me aktivitetin e tij politik, ende pa dalë mirë prej një teme, Thaçi niste tjetrën.

Ai e nisi edhe reformën elektorale, e cila është thënë se ka përfunduar nga komisionet, porse ende nuk është proceduar as kjo në Kuvendin e Kosovës.

Pakoja e legjislacionit për reformën zgjedhore përfshin aktet normative si Propozim Amendamentet e Kushtetutës, Projektligji për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Projektligji për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Projektligji për zgjedhjet lokale. Iniciativa të ngjashme nuk kishin marrë asnjëherë më parë paraardhësit e Thaçit si presidentë. Thaçi ishte protagonist kryesor edhe në raport me dialogun me Serbinë, edhe pse nuk ishte më pjesë e ekzekutivit.

Me Isa Mustafën pasiv, veçanërisht pas provokimeve të vazhdueshme të Serbisë, Thaçi ishte shfaqur i prerë, duke këmbëngulur si në ndaljen e trenit provokativ serb, ashtu edhe në heqjen e murit në veri të Mitrovicës. Deri sa u ndal tash përkohësisht dialogu me Serbinë, Thaçi ia kishte marrë Mustafës tërësisht primatin edhe në këtë proces të rëndësishëm për vendin. Ish-homologu i Mustafës, kryeministri i deritashëm serb Aleksandar Vuqiç, nuk dialogonte me Mustafën, por me Thaçin.

Madje, edhe e telefononin njëri-tjetrin, duke e anashkaluar kështu tërësisht kryeministrin tonë të ngathtë. E freskët është edhe iniciativa e Thaçit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Por, së fundmi, Thaçi mori iniciativën edhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve ligjore. Kjo nismë ligjore presidenciale e Thaçit ishte e para e këtij lloji në historinë e institucioneve shtetërore. Me projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Thaçi synonte të ndryshonte misionin e saj civil në ushtarak.

Ndonëse kundërshtohej nga ambasadori amerikan, nga shtetet e BE-së dhe NATO-s, Thaçi ishte këmbëngulës deri sa u takua me Zëvendësndihmës-sekretarin për Evropë dhe Euro-Azi në Departamentin e Shtetit Amerikan, Hoyt Lee.

Pas këtij takimi, Thaçi e ndali përkohësisht nismën e tij ligjore për krijimin e ushtrisë, duke thënë se do të bëhet edhe përpjekja e fundit bashkë me ndërkombëtarët për të bindur Listën Serbe dhe krijuar ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese. Aktualisht, kemi një situatë e re dhe më askush nuk po e konteston krijimin e ushtrisë së Kosovës, por si duket tash janë dy rrugë përpara. Fillimisht, krijimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa, në rast të dështimit të saj, pritet të aktualizohet sërish krijimi i ushtrisë përmes ndryshimeve ligjore.

Hashim Thaçi si president edhe mund ta ketë dominuar debatin politik gjatë këtij viti, mirëpo ai ka dështuar në relaksimin e raporteve të tij me liderët e subjekteve politike opozitare. Edhe pas një viti si president, Thaçi nuk ka arritur të ulët në një tavolinë të përbashkët me të gjithë liderët partiak. /Tribuna/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles