6 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Mbi 35 milionë euro pasuri e konfiskuar

Mbi 35 milionë euro është vlera e mallrave të përfituara nga vepra penale, të krimit të organizuar, financim i terrorizmit dhe pastrim i parave, që janë sekuestruar dhe konfiskuar nga autoritetet në vend.

Displaying 2eurofly.jpg
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Rrahim Rama, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vlera më e madhe e konfiskuar dhe sekuestruar është pasuria e paluajtshme; toka, spitale, hotele ndërkohë që pasuri të lëvizshme janë vetura dhe ari.

Pasuria e konfiskuar dhe sekuestruar menaxhohet nga Agjencia që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila po ashtu bën vlerësimin e vlerës dhe pastaj mundëson shitjen e saj.

Rama si problem e sheh ruajtjen e vlerës së pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar deri në hapjen e ankandit për shitje, pasi në shumicën e rasteve, sidomos te veturat bëhet zhvlerësimi i tyre.

“Te veturat jemi në gjendjen më të pavolitshme, sepse veturave iu humb vlera. Sipas një llogaritjeje mujore që kemi bërë 2.5 për qind devalvohet vetura. Ky devalvim është i lartë, kur merret parasysh që një veturë mund të qëndrojë me vite në depo të agjencisë”, thotë Rama.

Në aspektin e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, është shënuar përparim, thotë Shqipdon Fazliu, koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Ai ka treguar se vetëm gjatë vitit të kaluar, vlera e sekuestrimit ka arritur deri në 70 milionë euro, niveli i konfiskimit është mbi një milion e 100 mijë euro, dhe mbi 330 mijë euro janë konfiskuar nga estrada e Kosovës, në bazë të planit pagesës së tatimeve.
Por, nuk dihet se nga kjo shumë, sa është vlera e konfiskimit apo sekuestrimit ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit.

“Nuk i kemi ndarjet e tilla, pasi për ne, me rëndësi është konfiskimi i pasurisë së paligjshme, edhe pse në këtë drejtim ka konfiskim të pasurisë që rrjedh nga vepra e natyrave korruptive. Dhe, një nga rastet e tilla është një shumë prej 300 mijë eurosh para të gatshme që janë derdhur vitin e kaluar në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, rast që buron nga një vepër penale që ka të bëjë me korrupsionin”, bën të ditur ai.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se në këtë drejtim, konkretisht sekuestrim apo konfiskim i pasurisë ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit, nuk ka rezultate të dukshme.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë ka shumë pasuri, ka shumë veprime kriminale, por që ende mbesin të papara dhe individë të caktuar mbeten të paprekur.

Për këtë çështje, ai konsideron se mungon vetëdija e prokurorëve dhe gjyqtarëve që të bëjë ndjekjen e personave që merren me veprimtari kriminale, në mënyrë që t’u konfiskojë pasurinë.

Musliu thotë se pavarësisht faktit se të pandehurit akuzohen për keqpërdorime që kalojnë vlerën e mbi 5 milionë eurove, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë.

“Përderisa sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe përderisa prokurorët dhe gjyqtarët ende nuk i kanë kuptuar si duhet, sepse ende nuk zbatojnë dispozitat e sekuestrimit dhe konfiskimit, për të bërë ndjekje të kriminelëve së pari, dhe për të konfiskuar pasuritë e tyre, atëherë këtu kemi të bëjmë me mungesë totale të rezultateve”, vlerëson Musliu.

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, realizohet nëpërmjet Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Kurse, nuk ka mekanizma ligjorë me anë të së cilëve do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë personat që deklarojnë se pasuria e tyre është e krijuar nga të ardhurat e tyre,thonë njohës të çështjes së drejtësisë.

Sipas tyre, në Kosovë ka numër të madh të personave, qofshin fizikë apo juridikë, që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.

Në këtë kuadër, Ligji anti-mafia, ka kohë që përmendet nga Qeveria dhe ligjvënësit, por ai nuk është proceduar ende për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj besohet se rregullon shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, ndonëse jo të gjithë e mbështesin nxjerrjen e një ligji të tillë.

Në raportet e Komisionit Evropian disa herë është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ecet përpara në miratimin e këtyre ligjeve. /Rel/PrishtinaPress.eu

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles