8.3 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Protestuesit: Mjaft poshtërimit të Kosovës (Video)

Disa mijëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar në Paris më 4 janar. Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol.

Protestuesit përmes pankartave kanë shprehur revoltën e tyre ndaj ndalimit të Haradinajt.

Ardian Gjini, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë para protestuesve se qytetarët janë mërzitur nga padrejtësitë. Ai ka kërkuar nga vendet evropiane që të mos i lejojnë autoritetet e Serbisë, që edhe 18 vjet pas luftës në Kosovë, ta ushqejnë ende psikozën e luftës.

“Evropa nuk duhet të lejojë, ne nuk duhet të lejojmë, tash 18 vjet pas luftës. Krejt populli i Kosovës ka kaluar shumë ditë të dhimbshme, ka kaluar shumë ditë me pezëm dhe me dhunë, ka kaluar shumë ditë me vuajtje. Të gjithë kemi kaluar ditë të tilla, por nuk do të lejojmë më, sepse janë bërë shumë. Është bërë boll. Është tepruar që të poshtërohet Kosova dhe qytetari i Kosovës. Krejt ju që jeni këtu, Ramush Haradinaj dhe të gjithë ne, nuk duhet të lejojmë që të poshtërohemi më tutje dhe nuk do të lejojmë që të poshtërohemi më tutje”, ka thënë Gjini, raporton REL.

Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën ka thënë se shteti duhet t’u qëndrojë afër qytetarëve të saj kur u bëhet e padrejta dhe këtë duhet ta bëjë edhe në rastin e Ramush Haradinajt. Ai u është drejtuar institucioneve të Kosovës duke kërkuar nga to pezullimin e dialogut me Serbinë, e cila vazhdon t’i ndjekë me fletarreste qytetarët e Kosovës.

“Kërkesa e jonë është që me Vuçiqin duhet biseduar gjuhën e tij. Ai ndryshe nuk e kupton. Ne edhe një herë kërkojmë nga institucionet e Kosovës pezullimin e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë dhe paraqitjen e kushteve konkrete se si mund të bisedohet me ta. Ne nuk mund të lejojmë që çdo ditë dhe çdo javë të fyhemi dhe të ofendohet shteti ynë nga pasardhësit e Milosheviqit. Ramushi do të kthehet, s’ka asnjë dilemë. Por, pyetja që duhet të jetë në të gjitha kokat tona dhe që është edhe preokupim i përditshëm i Ramushit, është: ku është Kosova, çka do të bëhet me Kosovën? E çdo ditë ky vend po fyhet dhe po injorohet”, është shprehur Limaj.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka deklaruar se UÇK-ja ka bërë luftë të pastër. Ai ka thënë se Ramush Haradinaj dy herë ka dalë i pafajshëm nga Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.

“Këtë e di mirë Parisi dhe e gjithë bota e qytetëruar demokratike. Prandaj, ne shpresojmë se Franca mike nuk do t’i zbatojë urdhrat e shovinizmit serbo-sllav, që ta dënojë ose ta ekstradojë gjeneral Haradinajn në Beograd, që me ushtrinë dhe policinë e vet bëri krime dhe gjenocid mbi popullatën e pafajshme shqiptare”, ka thënë Gucati.

Protesta gjithë popullore në mbështetje të Ramush Haradinajt është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së. Ajo ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Fletarresti, në bazë të së cilit Ramush Haradinaj është ndalur nga autoritetet franceze, është lëshuar nga Serbia në vitin 2004 për krime ndaj civilëve serbë.

Haradinaj ka qëndruar një javë në paraburgim, ndërkaq që gjykata në qytetin Colmar të Francës i ka shqiptuar masën e lirimin me kusht, derisa Serbia ta bëjë kërkesën zyrtare të ekstradimit.

Haradinaj, aktualisht gjendet në Strasburg, në pritje të vendimit të gjykatës.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles