8.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Zyra e Prokurorit të Specializuar: Mandati i Gjykatës Speciale vazhdon derisa Këshilli i BE-së të njoftojë Kosovën për përfundimin e tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dhënë përgjigje ndaj mocioneve paraprake në lidhje me Raportin e Këshillit të Evropës, për afatin e hetimit të ZPS dhe mandatin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas ZPS-së, argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit se Dhomat e Specializuara  kishin një mandat pesë-vjeçar, me skadim në gusht të vitit 2020, injorojnë deklaratat e qarta të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë autoritare në këtë çështje.

“Siç është gjetur shprehimisht nga Dhoma e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, mandati i Dhomave të Specializuara nuk është i kufizuar në pesë vjet. Mandati vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë Kosovën për përfundimin e tij”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas ZPS-së, akuzat në aktakuzë kanë të bëjnë me Raportin e Këshillit të Evropës dhe janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, thuhet se argumentet e kundërta shpërfillin gjuhën e thjeshtë të ligjit dhe paraqesin ndryshe raportin e Këshillit të Evropës, andaj ato duhet të refuzohen.

ZPS ka konsideruar se parashtresat e mbrojtjes së Thaçit, në lidhje me periudhën e lejuar për kryerjen e hetimeve penale dhe mandatin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së janë pa meritë dhe mbështeten në dispozita ligjore të pazbatuara, si dhe injorojnë  deklaratat e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ZPS-së, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi të gjitha akuzat në aktakuzë dhe kërkesat e mbrojtjes duhet të refuzohen plotësisht.

Tutje, ZPS ka konsideruar se krimet për të cilat akuzohen të akuzuarit kanë të bëjnë me raportin e Këshillit të Evropës.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin: Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles