Mënyra se si Vjosa Osmani ka përkujtuar Betejën e Koshares ka shkaktuar reagime nga subjektet opozitare.
Mos përmendja e termit “UÇK” nga presidentja në statusin e saj të gjatë për Betejën e Koshares nuk ka kaluar pa reagime nga opozita.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha përmes një reagimi në Facebook ka parashtruar disa pyetje publike në drejtim të Osmanit në lidhje me Betejën e Koshares si shenjë proteste.
Hoxha thotë se Osmanit asnjëherë nuk ia zë goja ta përmend UÇK-në.
“Ca pyetje për Presidenten Osmani:
Kjo brigada 138 në Koshare e kujt ishte?
Udhëheqësit e saj çfarë embleme mbanin?
Ushtarët e saj prej nga erdhën?
Edhe nëse ju “harroni”, ka ende ushtar të kësaj beteje/brigade që janë dëshmi e gjallë e asaj ushtrie që juve nuk ua zë goja asnjëherë të vetme…
USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS”, ka shkruar deputetja Eliza Hoxha.
Edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka qenë i ashpër me Osmanin në lidhje me statusin e kësaj të fundit për Betejën e Koshares.
Molliqaj thotë se Vjosa Osmani nuk lë rast pa shmangur UÇK-në në fjalimet e saj.
“Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tej partiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangjen, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyç, kur ndalet koha dhe hapet fusha”, ka shkruar Molliqaj.
I pari i PSD-së thotë se Osmani tash nuk i ka penges njerëzit e UÇK-së që janë në Hagë, por sipas tij është historia e UÇK-së pengesë.