Shefi i Operativës Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan, Nijazi Kolgeci është suspenduar nga detyra, pasi kishte organizuar aheng familjar në kohë pandemie.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin Inspektorati Policor i Kosovës.
Siç bëhet e ditur Kolgeci të shtunën kishte martuar djalin e tij, në njërin prej restoranteve të njohura në Gjilan.
Ndërkaq, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kishin ndërhyrë për ta ndërprerë dasmën e djalit të nënkolonelit, Nijazi Kolgeci.
Ai do të hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe për shkelje të masave të cilat janë vendosur gjatë pandemisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Pas pranimit të informacioneve, IPK ka pranuar rastin e kompletuar nga Policia dhe rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së . Me rekomandim të IPK-së zyrtari policor (nënkoloneli policor) është suspenduar”, thuhet në përgjigjen e IP-së.
Tutje thuhet se veprimet e tjera do të ndermirën në koordinim me prokurorinë kompetente e cila ka autorizuar hetuesit të ndërmarrin veprime hetimore dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së./Telegrafi.