LDK, dega në Mitrovicë është përkujdes që anëtarin e vet të vjetër Bahri Kalludra, ta rehatojë në bordin e Ujësjellësit Mitrovica.
Aktiviteti i Bahri Kalludrës në LDK shihet edhe në fotografitë e publikuara nga LDK-ja, ku e gjeni në shumicën e tubimeve të këtij subjekti politik si anëtar i degës së LDK-së dhe nëndegën e lagjes Shipol të Mitrovicës.
Përveç LDK-së, edhe subjekti politik Nisma është përkujdes që ish kandidatin e saj për deputet, Besim Shytin, ta rehatojë në këtë bord.
Shyti edhe në qeverisjen e Ramush Haradinajt kishte qenë pjesë e këtij bordi, por Qeveria Kurti kishte marrë vendim që atë strukturë ta shkarkojë.
Besim Shyti është i punësuar edhe në Komunën e Mitrovicës si inspektor në Drejtorinë e Inspekcionit.
Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, në Bordin e përkohshëm të Ndërmarrjes Publike “KRU Mitrovica”, kryesues do të jetë Bahri Kalludra, ndërsa anëtarë të bordit të drejtorëve do të jenë Destan Rrahmani, Riza Shala dhe Besim Shyti.