16.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Paqartësi rreth pozitës së presidentit

Vjosa Osmani, edhe pse mban zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, mund të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që pritet të mbahen së shpejti.

Kjo gjë është përcaktuar para dhjetë vjetësh nga Gjykata Kushtetuese, në bazë të kërkesës së ushtruesit të atëhershëm të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Kuvendit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe synonte kandidimin në zgjedhje.

Ushtruesja e detyrës së presidentit ka thënë në intervistat e fundit në mediat e Kosovës se “për dallim prej presidentit të zgjedhur, u.d. i presidentit ka të drejtë që të merret me politikë gjatë ushtrimit të funksionit. Pra, mund të garojë në zgjedhje, të mbajë pozicione etj.”.

Vendimi i datës 22 dhjetor, 2010, i Gjykatës Kushtetuese përcakton se “mbajtja dhe ushtrimi i këtyre dy funksioneve nga ushtruesi i detyrës së presidentit nuk përbëjnë shkelje të nenit 88.2 të Kushtetutës”, me arsyetimin se kufizimi, sipas këtij neni, vlen vetëm “pas zgjedhjes” së presidentit.

Andaj, Gjykata shpjegon se “presidenti i Republikës zgjidhet nga Kuvendi, ndërsa përgjegjësitë e ushtruesit të detyrës së presidentit rrjedhin nga Kushtetuta dhe, rrjedhimisht, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk kufizohet nga neni 88.2”.

Gjykata ishte përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga Krasniqi “nëse kufizimet e nenit 88.2 të Kushtetutës, sipas të cilit, presidenti, pas zgjedhjes, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike, vlejnë edhe për ushtruesin e detyrës së presidentit”.

Por, pavarësisht këtij vendimi, analisti politik, Ramush Tahiri, vlerëson se Osmani nuk do të duhej “të ishte në listë zgjedhore, nën ndonjë lider politik cilido qoftë, kur flasim për zgjedhjet parlamentare”.

Afatet ligjore për zgjedhjen e presidentit të ri

Në bazë të Kushtetutës, u.d. e presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, mund ta ushtrojë detyrën deri më 5 maj, 2021. Kjo pozitë ka mbetur e zbrazët më 5 nëntor, kur presidenti Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.

Sipas analistit Ramush Tahiri, Kosova ka hyrë tashmë në afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Bazuar në Kushtetutë, presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet më së largu dy muaj pas dorëheqjes së presidentit. Pra, i bie që Kuvendi është dashur që deri më 5 janar, 2021, ta zgjedhë presidentin e ri. Tash janë krijuar edhe rrethana të reja dhe vendi edhe ashtu po shkon në zgjedhje”, thotë Tahiri.

Ai vlerëson se po bëhen shumë keqinterpretime sa u përket afateve ligjore.

“U.d. e presidentit e ushtron detyrën, nuk ka mandat. Kjo është e qartë në Kushtetutë. Te ne po e shpjegojnë se afati kushtetues është gjashtë muaj, por u.d. nuk ka mandat”, thotë Tahiri.

“Është edhe afati tjetër që presidenti i ri të zgjidhet më së largu deri më 7 mars”, shton ai, duke aluduar në afatin njëmujor para përfundimit të mandatit të presidentit të zgjedhur, Hashim Thaçi.

E gjithë kjo paqartësi sjell edhe dilemën se kush do ta drejtojë Kosovën pas 5 majit, nëse posti i presidentit mbetet sërish vakant – një situatë kjo e paprecedentë për Republikën që 12 vjet më parë ka shpallur pavarësinë.

Shumë vende me demokraci të zhvilluar e kanë të përcaktuar që pos kryetarit të Kuvendit, pozita e presidentit, në kushte të jashtëzakonshme, mund të ushtrohet edhe nga kryetari/kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, por Kosova nuk e ka këtë dispozitë as në Kushtetutë dhe as në ligjet përkatëse.

“Mungesa e presidentit sjell paqartësi se kush do ta dekretojë formimin e Qeverisë, ose edhe kush do t’i shpallë zgjedhjet e reja”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Fitim Salihu.

“Kjo është situatë me shumë të panjohura, që kërkon maturitet të klasës politike”, shton ai.

“Zgjedhjet të prodhojnë zgjidhje”

Kosova do të shkojë në zgjedhje parlamentare së shpejti, por njohësit e rrethanave politike nuk janë të bindur se zgjedhjet do të prodhojnë zgjidhje.

“Personalisht, e parandjej se do të kemi një ngërç politik pas zgjedhjeve, sidomos pasi që, për herë të parë që nga zgjedhjet e vitit 2010, partia fituese duhet ta ketë mendjen te 80 vota dhe jo 61 vota”, thotë Salihu.

“Mendoj se për hir të interesit nacional, do të duhej të uleshin polarizimet, sepse është e palogjikshme që për dy muaj fushatë, t’i drejtosh të gjitha shigjetat ndaj kundërshtarëve dhe pastaj, brenda orës, ta ndërrosh qasjen dhe të shkosh t’iu kërkosh ndihmë për zgjedhjen e presidentit”, shton Salihu.

Por, Ramush Tahiri, pavarësisht se e konsideron “të papjekur klasën politike në vend”, pret që të arrihet konsensus pas-zgjedhor për presidentin.

“Duke u nisur nga interesat e tyre partiake, mund të merren vesh për presidentin, por jo pse e ndjejnë përgjegjësinë për shtetin dhe tejkalimin e gjendjes, por për shkak se e llogarisin interesin e tyre për ndarjen e pushtetit”, thotë Tahiri.

Ai pret që zgjedhjet sërish të prodhojnë tri parti kryesore.

“Do të kemi ndarje në dy blloqe. Por, do të kemi tri forca kryesore: Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Është gati e pamundur që të arrijnë te 2/3 e votave për të zgjedhur presidentin. Nëse VV nuk bashkëpunon me PDK-në ose LDK-në, është e pamundur që të tejkalohet kjo situatë”, thotë Tahiri.

Edhe analisti Fitim Salihu e sheh të domosdoshëm bashkëpunimin e së paku dy partive shqiptare në Kuvend.

“Jam shumë skeptik që një parti fituese do të marrë aq vota – duke i llogaritur edhe ulëset e minoriteteve – sa ta zgjedhë e vetme presidentin me minoritete”, thotë Salihu.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 dhjetor, që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka përfunduar konsultimet me partitë politike. Ajo ka njoftuar se vendimi për shpalljen e datës se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, do të merret pas publikimit të vendimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese./rel

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles