Shënohet rasti i parë i variantit të ri të koronavirusit edhe në këtë shtet

0
51

Varianti i ri i koronavirusit, i cili më së shumti është duke qarkulluar në Britani, është vërejtur edhe te një udhëtar në Suedi, i cili shkoi në shtetin skandinav pikërisht nga Mbretëria e Bashkuara.

Udhëtari kishte shenja të sëmundjes pas arritjes në Suedi dhe doli pozitiv në testin për variantin e ri të koronavirusit, për të cilin thuhet se mund të jetë deri në 70 për qind më infektues.

Lajmin për regjistrimin e rastit të parë e bëri të ditur Agjencia Suedeze e Shëndetësisë, shkruan Reuters.

Zyrtarja e këtij institucioni, Sara Byfors, tha gjatë një konference për gazetarë se udhëtari, i cili nuk është identifikuar, ka qëndruar i izoluar pas arritjes në Suedi dhe se deri më tani nuk është regjistruar ndonjë rast tjetër i variantit të ri.

Më herët gjatë këtij muaji, Suedia vendosi kufizime në udhëtimet nga Britania e Madhe për shkak të shqetësimit rreth përhapjes së variantit të ri të virusit.

Masa të ngjashme tashmë kanë marrë disa shtete tjera të Bashkimit Evropian dhe vende tjera në pjesë të ndryshme të botës. Shtetet e Bashkuara tani e tutje do t’u kërkojnë britanikëve test negativ të koronavirusit kur të arrijnë në aeroportet amerikane.