19.6 C
New York
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadori ​Kosnett me një rrëfim më ndryshe, flet për pandeminë, punën nga shtëpia dhe sfidat e vitit që po lëmë pas

Larg nga atdheut dhe të afërmeve, duke shërbyer si përfaqësues i shtetit më të fuqishëm në botë, në një vend të vogël siç është Kosova, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett përçon mesazhe shprese dhe dashurie për të gjithë njerëzit në këto ditë festash të fundvitit që sivjet në të gjithë botën festohen më ndryshe se që njeh tradita dhe historia.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ambasadori Kosnett flet për përjetimet në Kosovë, gjatë këtij viti pandemie, sfidat, emocionet, gëzimet dhe hidhërimet, mungesën e punës dhe jetës normale etj.

KosovaPress: Z. Ambasador, meqë jemi në prag të festave, dua ta shfrytëzoj rastin t’ju uroj Krishtlindjen! Këto Krishtlindje janë më ndryshe nga ato të mëparshmet në historinë tuaj si Ambasador i SHBA-ve në Kosovë, dhe kjo për shkak të pandemisë (Covid-19). Çfarë ndryshimesh do të ketë në festën tuaj të Krishtlindjes këtë vit?

Ambasador Kosnett: Së pari, më lejoni t’ju falënderoj dhe të shpreh urimet e mia për Krishtlindje atyre që festojnë festën dhe t’i uroj të gjithëve një Vit të Ri të sigurt dhe paqësor. Këtë vit familja ime, si shumë familje në të gjithë botën, nuk do të jenë në gjendje të mblidhen së bashku fizikisht për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të udhëtimit. Na vjen keq për këtë, por si familje diplomatike jemi mësuar që herë pas here të mos jemi bashkë fizikisht me të dashurit tanë. Kështu që gruaja ime Alison dhe unë do të bashkohemi me anëtarët e tjerë të familjes përmes magjisë së video konferencës. Të mos qenurit bashkë tani është një çmim që ia vlen të paguash për të ndihmuar kontrollin e virusit.

KosovaPress: Si po ia dilni gjatë kësaj periudhe pandemike?

Ambasadori Kosnett: Jam mirë, faleminderit. Jam mirënjohës për shëndetin e mirë, familjen e ngushtë, miqtë e mirë dhe kolegët e besueshëm dhe për mundësinë për të shërbyer. Amerikanët gjithmonë ndihen të mirëpritur dhe si në shtëpinë e tyre në Kosovë. Kurdoherë që filloj të ndjehem i kufizuar i kujtoj vetes se jam në një pozitë më të mirë se shumica e miliarda njerëzve në planet. Të gjithë duhet të mendojmë më pak se si po na prek pandemia dhe më shumë se si mund të punojmë kolektivisht për ta kaluar atë. Sinqerisht, unë irritohem më së shumti kur shoh njerëz që injorojnë hapat e thjeshtë që mund të ndërmarrin për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre, si bartja e maskave dhe larja e duarve, shmangia e tubimeve të mëdha dhe mbajtja e distancës shoqërore. Disa kundërmasa janë të shtrenjta. Maskat dhe sapuni nuk janë.

KosovaPress: A ju mungon dinamika ditore që vjen me punën në zyrë?

Ambasadori Kosnett: Sigurisht, unë e ndava kohën time midis punës nga shtëpia dhe kalimit të kohës në Ambasadën tonë. Më mungon energjia e të qenit i rrethuar nga kolegët, qytetarë amerikanë dhe kosovarë në Ambasadë, dhe më vjen keq që shumica e takimeve të mia të jashtme bëhen përmes konferencave Nuk është e njëjtë si kontakti personal. Më mungon të dal nga Prishtina, të vizitoj dhe të mësoj nga njerëzit në të gjithë vendin. Diplomacia ka të bëjë me marrëdhëniet personale dhe komunikimin personal.

KosovaPress: Pothuajse gjatë gjithë vitit ishim jashtë zyrës dhe larg të dashurve tanë. Çfarë ju mungon më së shumti?

Ambasadori Kosnett: Siç e përmenda më parë, është kontakti njerëzor, por në formën e gjërave të vogla, të jesh në gjendje të ndash një vakt me familjen dhe miqtë, të udhëtosh dhe të ndash përvoja të reja, të shkosh në kishë në Prishtinë. Por nëse të gjithë vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur COVID, do të jemi në gjendje të shijojmë përsëri këto veprime të thjeshta të miqësisë.

KosovaPress: Cili ishte momenti më sfidues këtë vit?

Ambasadori Kosnet: Nuk më bie ndërmend asnjë moment i vetëm. Në të vërtetë ka qenë një seri e përsëritur e momenteve sfiduese. Ndoshta ishte ai mendimi që kjo pandemi do të godiste më shumë dhe do të zgjaste më shumë se kërcënimet e tjera epidemike që bota ka hasur kohëve të fundit. Shpresa ngrihej dhe binte. Pyesnim veten nëse do të përfundonte ndonjëherë. Pastaj erdhi lajmi se shkencëtarët kishin zhvilluar vaksina në kohë rekord, – por do të kalojnë muaj ose më shumë para se të gjithë të bëhen imun dhe të mund të themi se pandemia është nën kontroll. Pandemia është larg nga përfundimi dhe ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.

KosovaPress: A kishte ndonjë moment zemërimi?

Ambasadori Kosnett: Po, zemërohem kur shoh njerëz, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë, duke e mohuar realitetin shkencor, duke mohuar këshillat mjekësore dhe duke rrezikuar veten, si dhe familjet dhe miqtë e tyre, duke refuzuar të marrin masa kundër virusit. Amerikanët dhe kosovarët kanë shumë të përbashkëta, përfshirë faktin që ne jemi të fortë dhe të qëndrueshëm. Shumë prej nesh nuk duan të duken sikur kanë frikë nga virusi. Ne nuk duhet të kemi frikë, por duhet ta luftojmë atë me mjetet që kemi në dispozicion. Mos u përpiq të jesh vetëm i fortë – bëhu i zgjuar.

KosovaPress: A ka pasur ndonjë moment kur ju keni qenë të mërzitur dhe i keni thënë vetes “Unë dëshiroj ta ndërpres këtë mision dhe të kthehem në shtëpi”?

Ambasadori Kosnett: Asnjëherë, kam nderin të shërbej si Ambasador i SHBA-ve në Kosovë dhe të drejtoj një ekip profesionistësh të përkushtuar nga të dy vendet. Unë besoj se gjërat që SHBA dëshiron për Kosovën janë paqja me vendet fqinje dhe mes komuniteteve, një sistem i besueshëm drejtësie, prosperitet dhe mundësi, janë gjërat që njerëzit e Kosovës i dëshirojnë dhe i meritojnë. Mbi të gjitha, ne duam që Kosova të zërë vendin e saj në botë si një demokraci e pavarur dhe e vetë-mjaftueshme. Qeveritë jo gjithmonë bien dakord për çështje të caktuara, por bazat e marrëdhënies janë solide.

KosovaPress: A ka ndonjë gjë pozitive që keni mësuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë?

Ambasadori Kosnett: Njerëzit janë të fortë dhe të zgjuar, janë krijues dhe qëndrueshëm. Ndonjëherë ne i marrim si të mirëqena, synimet e jashtëzakonshme që mund të arrijmë kur të ndalojmë luftën dhe të fillojmë të punojmë së bashku. Ne kemi dërguar njerëzit në Hënë dhe së shpejti do t’i dërgojmë në Mars. Sa e mahnitshme është që të gjithë ne kemi me vete një telefon të mençur – një mikrokompjuter, përmes të cilit mund të kemi qasje në të gjitha njohuritë njerëzore. Ne e kemi mposhtur linë, e kemi mposhtur poliomielitin, dhe së shpejti do ta mposhtim edhe COVID-in. Por vetëm nëse qëndrojmë të disiplinuar dhe kujdesemi për njëri-tjetrin.

KosovaPress: Padyshim, pandemia duhet të ketë kufizuar realizimin e projekteve të ndryshme dhe objektivat që keni planifikuar për këtë vit, si në aspektin personal ashtu edhe aspektin profesional si Ambasador. A ju ka dëmtuar pandemia në këtë drejtim?

Ambasadori Kosnett: Sigurisht që kemi pasur mundësi të humbura këtë vit. Për shembull, kur pandemia vetëm sa po fillonte, në shkurtin e kaluar, unë isha në Nju Jork duke biseduar me udhëheqësit e diasporës në lidhje me rritjen e përfshirjes së diasporës në Kosovë, jo vetëm përmes investimeve, por edhe përmes ndarjes së përvojës në fusha të shumta. Kishte shumë interesim. Pandemia na kushtoi një vit në realizimin e disa projekteve. Unë akoma dua të ndjek këtë iniciativë. Ne kemi një thënie “Njeriu planifikon dhe Zoti qesh”. Duhet të planifikoni për të ardhmen, por duhet të qëndroni fleksibël.

KosovaPress: Cili ka qenë momenti që ju ka bërë më së shumti përshtypje gjatë këtij viti?

Ambasadori Kosnett: Po përsëris, ka aq shumë momente. Jam mahnitur nga trimëria dhe përkushtimi i punonjësve shëndetësorë dhe të tjerëve që kanë rrezikuar aq shumë për të na mbajtur të sigurt. Mësuesit që kanë gjetur mënyra, që me ndihmën e bizneseve dhe qeverisë, të vazhdojnë edukimin e fëmijëve. Shkencëtarët në SHBA dhe gjetkë të cilët kanë zhvilluar vaksina në kohë rekord. 2020 ka qenë një vit tragjedie. Le ta bëjmë vitin 2021 një vit të shpresës.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles