Taksa për hyrjen e automjeteve në qytet, nuk po shihet si zgjidhje për ajrin e pastër në Prishtinë

0
31

Ideja e udhëheqësve të Prishtinës se hyrja në qendër të kryeqytetit me automjete mund të kushtojë 10 euro, po del të jetë të papranueshme. Madje thuhet se kufizimi i veturave në qendër të qytetit nuk është zgjidhje për shmangien e ndotjes së ajrit.

Derisa veprim konkret në përmirësimin e këtij të fundit po konsiderohet zgjerimi i rrjetit të ngrohtores së qytetit Termokos.

Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ngrit akuza ndaj kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se taksa dhe bllokimi i veturave është vetëm arsyetim i mos punës se çka ka ndodhur deri më tani në Prishtinë.

Derisa ka theksuar se shmangia e ndotjes së ajrit mund të ndodh vetëm me zgjerimin e rrjetit nga Termokosi, në të gjitha lagjet e Prishtinës.

“Sa i përket taksës që po flitet me u vendos për veturat që hyn në Prishtinë kjo më së paku është zgjidhje. Nuk është zgjidhje për faktin se kryetari i komunës tash edhe pse po e zbaton një premtim të dhënë qysh në kohën e VV-së, se do t’i bllokoj hyrjet në Prishtinë dhe njerëzit do të kenë mundësi ku ta parkojnë veturën e të hipin në trafik urban, ne jemi t’u e pa që nuk ka asnjë parking të vetëm në hyrje të Prishtinës, ku qytetarët do të mund t’i lenin makinat e tyre, pastaj kemi një trafik urban të stërngarkuar që nuk i jep zgjidhje… Në rastin tjetër ne nuk kemi asnjë veprim konkret nga Komuna e Prishtinës për të zgjeruar rrjetin e ngrohtores së qytetit, ku shumë qytetarë nuk do të përdornin më stufat e tyre me thëngjill dhe do të përdornin ngrohtoren e qytetit, këto mendoj që kishin me ndikuar në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë. Mirëpo taksa dhe bllokimi i veturave, sidomos qytetarëve të qyteteve tjera nuk është zgjidhje, ajo është vetëm arsyetim i mos punës se çka ka ndodhur deri tani në Prishtinë”, thotë Retkoceri për KosovaPress.

Se zgjerimi i rrjetit të ngrohtores së qytetit është zgjidhje adekuate për të shmangur ndotjen e ajrit, e thotë edhe asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi.

“Problemi me ajrin në Prishtinë është shumë më i thellë si specifikë kryesore sipas çdo analize që është bërë deri më tash, del të jetë ndërtimi i egër, pra ndërtimet pa leje, të cilat janë ndërtuar gjatë mandatit të Shpendit. Grimcat të cilat e ndotin ajrin, mbesin vazhdimisht në qarkullim në Prishtinë për shkak se këto ndërtime të egra, e kanë pamundësuar qarkullimin e tyre dhe rrjedhimisht ato sillen nëpër qytet…Për të ndërmarr veprime konkrete të cilat ndikojnë në përmirësimin e ajrit, normalisht do të ishte zgjerimi i rrjetit të Termokos-it, sidomos në këto lagje të cilat ngrohen me thëngjill apo qymyr. Është shumë e rëndësishme që komuna të ketë prioritet zgjerimin e rrjetit të Termokos-it”, thotë Azemi.

Ndërkaq, asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Mustaf Krasniqi, ka thënë se vendosja e taksës prej 10 euro do t’i dëmtonte qytetarët dhe se si zgjidhje të shmangies së ndotjes së ajrit e sheh zgjerimin Termokosit.

“Paraprakisht duhet me kiju kushte dhe hapësira të parkingjeve në mënyrë që të gjithë ata që vinë në kryeqytet të lënë veturën diku, mandej qoftë me mjete të transportit publik, qoftë me mjete tjera mund të orientohen aty ku kanë me kryer shërbime…Madje nëse bëjmë një veprim të tillë do t’iu hapet rruga edhe komunave tjera që çdo veturë e Prishtinës, edhe tjerëve do t’i nënshtrohet taksës….Zgjidhja e Termokos-it ndikon shumë më shumë në pastrim të ajrit”, ka thënë ai.

E rrëzim të tërësishëm të këtyre ideve po kërkojnë qytetarët, të cilët thonë se përderisa kryetari Ahmeti, nuk siguron parkingje jashtë qytetit, bllokimi dhe taksa janë të pa pranueshme.

Tahir Rrecaj thotë për KosovaPress, se hyrja në qendër të qytetit me pagesë përveç që nuk është zgjidhje për ajrin, është ndëshkim për qytetarët.

“Mendoj që nuk është aspak e drejtë për shkak që është një ndëshkim për qytetarët jashtë qytetit të Prishtinës. Çka nëse edhe qytetet tjera zbatojnë të njëjtën masë të reciprocitetit. Kjo do të shkaktonte një gjendje kaotike totale…Nuk është zgjidhje as për ajër as për asgjë, ajri ndotët edhe me gjëra tjera, jo vetëm me makinat”, thotë Rrecaj.