Veliu pas zhvillimeve me Specialen: Policia e gatshme të intervenojë në rast të incidenteve

0
27

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se në Planin Operativ të vitit 2020 kanë përfshirë edhe ngjarjet e situatës së krijuar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe ndaj shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Veliu tha se gatishmëria për bashkëpunim me prokurorinë speciale e të akuzuarve vërteton pjekurinë politike dhe idealin që ka pasur lufta e UÇK-së.

Ministri i Punëve të Brendshme thotë se kanë edhe një plan për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm pas këtyre zhvillimeve, në zonat ku ka popullsi të përzier.

“Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Policia ka inkorporuar në planin e saj, për rrezikshmëri nga kërcënimet e mundshme terroriste dhe atë anti-COVID, edhe ngjarjet e situatës së krijuar ditëve të fundit. Pra, plani operativ 2020 përfshinë masat që kanë për qëllim mbrojtjen e zonave në popullsi të përzier në rast të ndonjë incidenti të mundshëm por edhe plani që përmban të gjitha skenarët e mundshëm. Policia ka vendosur që të gjitha mjetet për t’u përgjigjur në një situatë të mundshme, është rritur niveli i gatishmërisë”, tha Veliu. /Telegrafi/