FOL: Qeveria Hoti ka realizuar vetëm 46% të Planit Vjetor të Punës

0
16

Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Forcimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Reformat”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Prishtinë, ka publikuar sot të dhënat e monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-shtator 2020.

Ambasadorja holandeze në Prishtinë, Carin Lobbezoo, tha se ky raport vjen në kohë të duhur, pasi që së fundmi u publikua Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, dhe ky raport forcon rolin e shoqërisë civile në forcimin e transparencës së Qeverisë, dhe ofron qytetarët me proceset e rëndësishme që Kosova po kalon. “Ky raport, pasi që monitoron realizimin e Planit të Qeverisë nga secila ministri, mund të shfrytëzohet si një udhërrëfyes i rëndësishëm për Qeverinë, në mënyrë që të reflektoj në punën e saj, dhe të fokusohet në ndryshimet e nevojshme”, tha Ambasadorja Lobbezo, duke shtuar se Holanda do të jetë afër institucioneve të Kosovës dhe njerëzve të Kosovës në mënyrë që t’i ndihmojë vendit në rrugën e integrimit Evropian.

Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL tha kemi monitoruar Planin Vjetor të Punës së 15 Ministrive dhe Zyrën e Kryeministrit, të cilat në bazë të realizimit të planit tregojnë se ka pasur nivel të ulët të realizimit të planit të cilin e kishin paraparë ta përfundonin për periudhën e parë nëntë mujore.  “Nga ky monitorim del se 154 aktivitete të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020, vetëm 71 aktivitete janë realizuar apo 46 %, ndërkaq 83 aktivitete apo 54% kanë mbetur të parealizuara në afatin e përcaktuar kohor”, tha ai.

Ministritë të cilat kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës se Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020 janë: Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal(MZHR).

Ministria e cila nuk ka realizuar asnjë aktivitet është: Ministria e Shëndetësisë.

Ministritë të cilat në kuadër të planit vjetor të punës së Qeverisë për vitin 2020 për periudhën janar-shtator 2020, të cilat nuk kanë paraparë asnjë aktivitet janë: Ministria e Punëve të Brendshme(MPB), Ministria për Komunitete dhe Kthim(MKK), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS).

Gjetjet për secilën ministri:

Zyra e Kryeministrit(ZKM) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar-shtator, ka paraparë të realizoj 26 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 10 nga to ndërsa 16 nuk janë realizuar.

Ministria e Drejtësisë(MD) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, MD ka paraparë të realizoj 25 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 10 nga to, ndërkaq 15 aktivitete kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Financave(MF) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë të realizoj 7 aktivitete, prej te cilave vetëm 1 aktivitet ka mbetur i parealizuar.

Ministria e Mbrojtjes(MM) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka  për periudhën janar – shtator 2020, Ministria e Mbrojtjes ka paraparë të realizoj 7 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 1 nga to.

Ministria e Pushtetit Lokal(MPL) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator ka paraparë të realizoj 9 aktivitete, të cilat edhe janë realizuar në afatin e caktuar kohor.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë(MPJD) –  në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka planifikuar të realizohen 5 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 1.

Ministria e Shëndetësisë(MSH) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020 MSH ka paraparë të realizoj 6 aktivitete, e dhe asnjë nga to nuk kanë arritur ti realizojnë.

Ministria e Infrastrukturës(MI) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, janë paraparë të realizohen për periudhën janar – shtator 2020 7 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm  2 nga to.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë të realizoj 3 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 1 nga to.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka paraparë të realizoj 4 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 3 nga to, ndërkaq për një aktivitet nuk kemi marrë përgjigje se a është përfunduar.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit(MEA) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë 26 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 5, ndërkaq 21 aktivitete kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Zhvillimit Rajonal(MZHR) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, ka paraparë të realizoj 7 aktivitete dhe ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të planit një vjeçar të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, ka paraparë të realizoj 22 aktivitete nga të cilat ka realizuar 16 dhe 6 të tjera janë të pa realizuara brenda afatit të paraparë kohor.