Ministri Abrashi tregon si u zbulua skandali i “dy milionëve” nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës

0
16

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka treguar se si është kuptuar në ministrinë e drejtuar nga ai se po mungojnë fonde nga projekte të ndryshme.

Abrashi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini thotë se punëtorët e Ministrisë së Infrastrukturës e kanë vërejtur se ka ndodhur një transaksion i dyshimtë dhe mjetet që është dashur të shkojnë në disa projekte të Ministrisë së Infrastrukturës kanë munguar.

“Zyrtarët e Ministrisë e kanë vërejtur një transaksion të dyshimtë i cili nuk është përputhur me asnjë projekt dhe që iu mungojnë mjete nga projekte tjera. Posa është vërejtur këtë transaksion kemi njoftuar Thesarin dhe organet tjera të sigurisë”, tha ai.

Abrashi thotë se megjithatë për transferimin e këtyre mjeteve janë përdorur së paku edhe katër aksese tjera.

“Deri më tani është parë që ka ndodhur një lëshim teknik dhe një keqpërdorim i dikujt në Thesarin e vendit. Pra një zyrtarë i Thesarit ka keqpërdoruar qasjen e tij dhe ka krijuar edhe qasje tjera pasi duhen së paku edhe katër apo pesë qasje për t’u kryer transferi”, deklaroi Abrashi.

Ministri i Infrastrukturës thotë se zyrtarët qeveritar nuk mund të ndërhyjnë në punët e personave që punojnë në Thesarin e Shtetit.

“Ata janë persona që trajnohen dhe janë staf civil”.

Abrashi thotë se megjithatë nga Ministria e Infrastrukturës ka transfere të tilla për projekte madhore dhe sipas tij personat që kanë bërë këtë keqpërdorim kanë menduar se nuk do të vërehen.